Aksident trafiku tek udhëkryqi i Tauk Bashqe, lëndohen dy persona
Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.
Një aksident trafiku ka ndodhur edhe sot në orët e hershme të mëngjesit në kryqëzimin që lidh rrugët ‘Nazim Gafuri’ dhe ‘Shpëtim Robaj’ në Prishtinë.
Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se si pasojë e aksidentit kanë mbetur të lënduar dy persona.
“Sot rreth orës 06:40 në kryqëzimin që lidhë rrugën “Nazim Gafurri” dhe rrugën “Shpëtim Robaj” në Prishtinë , ka ndodhur një aksident trafiku në mes të dy automjeteve. Si pasojë e aksidentit dy persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, tha Ahmeti.
Ndërkohë sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë dërguar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet se automjetet e përfshira kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.