AGK: Gazetarja Ardiana Thaçi Mehmeti, cak i sulmeve në grupin Albkings

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton se me shqetësim të thellë po i përcjellë raportimet e Kiks Kosova për shpërndarjen e numrit personal të gazetares, Ardiana Thaçi Mehmeti, në grupin Albkings.

“Në emisionin e fundit të Kiks Kosova, i cili i është dedikuar ekskluzivisht shqetësimit të vazhdueshëm që i është bërë gazetares Thaçi Mehmeti nga dhjetëra burra që janë pjesë e këtij grupi, bëhet e ditur se numri i është shpërndarë qëllimisht në shenjë hakmarrjeje për raportimet e mëparshme të saja lidhur me Albkings”, thekson AGK.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon shpërndarjen e numrit, si dhe mesazhet e telefonatat denigruese që ka pranuar ditëve të fundit gazetarja Thaçi Mehmeti, me qëllim të dëmtimit të reputacionit të saj.

AGK-ja, i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë, që urgjentisht të ndërmarrin hapat e nevojshëm lidhur me rastin.

Lexo edhe:  Gruaja nga Prizreni denoncon për dhunë vjehrrin e saj, 56-vjeçari përfundon në Polici