A ka pasur marrëveshje për largimin e grupit terrorist nga Banjska? Tregon drejtori i Policisë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se Kosova ka fakte, të cilat dëshmojnë se shteti i Serbisë dhe Ushtria e Serbisë i kanë dhënë mbështetje të plotë ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Hoxha mohoi çfarëdo marrëveshje për krijimin e korridorit për ikjen e grupit të armatosur nga Kosova, kur u pyet nëse ka diçka që s’dihet lidhur me këtë pjesë.

“Jo, asnjë marrëveshje, asnjë komunikim me qëllim të krijimit të lirimit a krijimit të korridorit për ikje apo depërtim të këtij grupi nga fshati i Banjskë, nga territori i Kosovës, nuk ka pasur. As tentativë të tillë nuk ka pasur.

Do të thotë, ajo çfarë ka ndodhur [është se] ne kemi komunikuar disa herë duke iu kërkuar atyre që të dorëzohen tek autoritetet e Kosovës, ata nuk kanë dëgjuar dhe vazhdimisht kanë gjuajtur disa herë, do të thotë Policia e Kosovës ka bërë tentativa për të komunikuar me qëllim që ata të dorëzohen, mirëpo kërkesat tona nuk janë pranuar dhe përgjigjja e tyre ka qenë qitjet me armë të zjarrit.

Tjetra, ne kemi komunikuar po ashtu edhe me mbikëqyrësin e Manastirit të Banjskës, At Danilon [ashtu më duket e ka emrin], edhe përmes tij kemi kërkuar që të komunikojë me ata që kanë qenë brenda, në mënyrë që ata të dorëzohen. Mirëpo, nuk ka funksionuar ky lloj komunikimi.

Ndërsa, komunikim për t’i krijuar korridor të lirë dikujt që ka vrarë kolegët tanë – as nuk ka pasur as nuk do të mund të kishte – sepse ne kemi parime mbi të cilat funksionojmë, punojmë, jemi të ngritur si polici. Dhe, nuk lejojmë që dikush që vret policin apo qytetarin e Kosovës, ne t’i krijojmë mundësi të lirë që ai të largohet nga territori, pa u përgjigjur për veprën që e ka kryer.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vjim

Do të thotë, pse ata kanë arritur të largohen nga manastiri dhe pjesa e Banjskës, është se terreni është shumë i thyer“, tha Hoxha për REL.