Djali narkoman e sulmon me thikë babain dhe ikë, Policia arrin ta arrestojë
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë ka ndodhur dje në një familje në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.
Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti me të birin, i riu e ka kërcënuar dhe e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar frikë e shqetësim të madh.
Burimet thonë se çka e bën edhe më shqetësues këtë rast është se i dyshuari është përdorues i substancave narkotike dhe në momentin kur ka ndodhur rasti dyshohet se ka qenë nën ndikimin e drogës.
I dyshuari fillimisht ka ikur, por më pas Policia është vënë në lëvizje dhe ka arritur ta arrestojë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe rasti është iniciuar si ‘Dhunë në familje’.