Pesë të arratisurit e fundit që vazhdojnë të sfidojnë autoritetet e Kosovës çdo ditë
Shani Tafolli apo njohur ndryshe si “Shani Tmerri” ësh të njëri nga të arratisurit e burgjeve të Kosovës.
Edhe pse ai kishte ende shumë kohë për të qëndruar në burg, i njëjti ka arritur që në gusht të vitit të kaluar të arratiset
I akuzuar për disa vepra të ndryshme penale, Shani Tafolli lirshëm paraqitet në rrjetet sociale si “TikTok”, madje shpesh herë edhe duke kërcënuar.
Ai kishte kërcënuar publikisht me vrasje të një zyrtari policor në Ferizaj.
Tafolli ishte parë duke sharë, kërcënuar e duke terrorizuar me ekspozim të armës në këtë rrejt social.
Edhe pse ende tejet i rrezikshëm për shoqërinë në Kosovë, Shani Tafolli vazhdon të jetë i lirë si njëri nga të arratisurit e shumtë nga burgjet e vendit së fundi.
E pas tij i arratisur është edhe Enver Sekiraqa.
I njohur për gjithë vendin, Sekiraqa u arratis pas vendimi përfundimtar të gjykatës në lidhje me rastin e vrasjes së policit, Triumf Riza.
Ka dy muaj që nga koha kur Enver Sekiraqa është arratisur. Ky veprim i tij erdhi pas ndryshimit të masës së sigurisë, vendim që e mori Gjykata e Apelit.
Dy muaj më parë Apeli kishte vendosur që ta kthejë në paraburgim Sekiraqën, por ky i fundit u tregua shumë i shpejtë dhe iku nga autoritetet e Kosovës.
E pas kësaj, Policia e Kosovës e kishte shpallur në kërkim të njohurin e vendit, Enver Sekiraqa.
Më 3 maj 2024, Enver Sekiraqa për herë të tretë pas kthimit të rastit në rigjykim ishte dënuar më 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e zyrtarit policor, Triumf Riza.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.
E në vazhdën e arratisjeve gjatë kësaj kohe “natyrisht” se nuk mungon as Faton Hajrizi. Ku vihet në pyetje arratisja, Hajrizi lirshëm mund të quhet “fantazma e burgjeve”, pasi ai iku saktësisht 9 herë prej tyre.
Më 6 korrik, Faton Hajrizi vendosi që të ikën nga Burgu i Smrekonicës, anipse aty ishte në burgim të hapur.
Madje ky i fundit kishte pak ditë që ishte kthyer nga vikendi në shtëpi, pra ai e kishte të mundur lëvizjen përgjatë vikendeve pasi sipas Shërbimit Korrektues ndër vite kishte treguar sjellje të mira.
Faton Hajrizi i cili ishte në burg që nga mosha 14 vjeçare për vrasjen e një shtetasi rus, ndër vite kishte kryer edhe vepra të tjerë kriminale.
Ai gjatë vendimit të fundit gjyqësor për të cilin po qëndronte në burg kishte të bënte me një grabitje të madhe dhe të armatosur.
Në vitin 2000. Ai ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus. Në kohën kur ai e kishte kryer vrasjen ishte shumë i ri dhe ishte dënuar me 27 vjet burg.
Por, është vetë Hajrizi i cili ka deklaruar se tri ditë pasi ishte dërguar në Burgun e Mitrovicës, kishte arritur që të ikte nga atje.
Për ikjen e parë nga burgu ai tregoi se e kishte shfrytëzuar dritaren e banjos së burgut në Mitrovicë. Pas kësaj, Faton Hajrizi ishte arrestuar nga ushtarët e KFOR-it në Kosovë.
Duke mos e lënë me kaq, i lartcekurit kishte vazhduar me të njëjtin avaz-atë të arratisjes.
Hajrizi arratisjen e dytë e kishte bërë nga Burgu i Prishtinës, kurse një herë ishte arratisur edhe nga një bazë ushtarake, saktësisht nga Boondsteel-i. Madje për këtë ikje nga Boondsteel-i, ai pati deklaruar se e e kishte bërë pasi “Është i mësuar me këtë gjë”.
“Jam i mësum ma. Kam ik me danat që mi kanë sjell familjarë në pite”, pati deklaruar ai.
Në korrik të vitit 2007, ai ishte arratisur nga Burgu i Dubravës, bashkë me gjashtë të burgosur të tjerë, të dënuar për krime të rënda.
Pasi që kishin kaluar rrethojat e burgut, shtatë të burgosurit ishin pritur nga persona të tjerë, të cilat kanë filluar të shtënat kundër gardianëve të burgut.
Pas hetimeve në lidhje me këtë rast ishin arrestuar disa punonjës të Burgut të Dubravës dhe disa persona të tjerë që dyshohej se kishin ndihmuar në arratisje.
Disa muaj më vonë, në shtator të vitit 2007, kur në Drenas kishte ndodhur një grabitje me armë ku katër persona me armë dhe maska kishin grabitur një argjendari dhe gjatë ikjes kishin plagosur me armë zjarri dy policë dhe pronarin e dyqanit. Vlera e arti e grabitur në këtë rast ishte rreth 63 mijë euro.
Gjatë vazhdimit të kërkimit të grabitësve, në fshatin Bruznik të Vushtrrisë, një patrullë policore kishte tentuar ta ndalojë një veturë të dyshuar.
Të dyshuarit nga ajo veturë kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë dhe kishin plagosur me armë zjarri dy policë, si dhe kishin arritur të iknin në këmbë.
Dyshohet se të njëjtit kishin kryer grabitjen dhe plagosjen në Drenas.
Faton Hajrizi dhe Burim Basha ishin arrestuar në tetor 2007 në një shtëpi në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Gjatë kësaj bastisje ishin gjetur edhe disa armë.
Kurse në vitin 2012, Faton Hajrizi ishte arratisur nga Burgu i Prizrenit duke u ngjitur në murin e burgut e duke i kaluar rrethojat me gjemba. Por pas një aksioni policor ai ishte arrestuar përsëri.
Derisa ka qëndruar në burgun e Sigurisë së Lartë, Hajrizi kishte dhënë një deklaratë në të cilën thoshte se jeta e tij dallon nga të burgosurit e tjerë.
“Në fillim kam rënë për vrasje, vepër për të cilën nuk pendohem, pavarësisht që ka qenë pjesë e kontingjentit të ndërkombëtarëve, të NATO-s. Jam në burg që nga janari i vitit 2000 – me një ndërprerje prej katër muajsh – deri në vitin 2006. Mandej kam rënë në janar të vitit 2006 dhe jam dënuar me 25 vite për grabitje dhe vrasje në tentativë”, tha ky i dënuar për RTV Dukagjini.
Si katërmbëdhjetëvjeçar nuk e kreu shkollën e mesme, si të gjithë bashkëmoshatarët e tij në liri, por në Burgun e Dubravës (2002-2005).
“Shkolla ndikon në sjelljen e të burgosurit dhe në aftësinë psikike të tij”, tha ky i dënuar, përderisa tregoi se ka parë me sytë e tij kur të dënuarit e pashkolluar kanë bërë probleme nëpër burgje. “Si 14-vjeçar kam shkuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1999. Në disa punë nuk kam hyrë me vullnetin tim. Por, disa gjëra më janë imponuar çdo herë”.
Ky i burgosur, i njohur për arratisje, thotë se këto i ka bërë për shkak të, siç thotë, “maltretimeve të UNMIK-ut, prej padrejtësive të tyre”.
“Ka ndodhur shumë herë që si i mitur që isha, të kem pasur nevojë për prindin tim. Gjithmonë, kur më merrnin në pyetje, isha i vetëm. Nuk e dija që ishin të obliguar ta kisha praninë e prindit, të avokatit apo të një punëtori social. Gjithmonë jam marr në pyetje brutalisht. Gjyqtarët i mbyllnin sytë. Kjo ishte arsyeja e ikjes time të parë. Më mbeti si ves pastaj ikja. Deri në 2012 s’kam mundur t’i ndal arratisjet, por tash jam stabilizuar. Mendoj me mbajt edhe këtë pjesë të burgut”, tha i dënuari, i cili shpreh frikë se sistemi në Kosovë do të mund të risocializojë ish të burgosurit.
“Vendimi i lëshimit në vitin 2005, është shkruar nga gjyqtarja e lirimit, austriake, ku thuhej që unë për t’iu kthyer jetës normale si një qytetar i lirë, do të duhej të punoja. Kjo ishte referencë për Komunën time. Edhe pse kam trokitur në dyert e Komunës, asnjëherë nuk e kam pasur një vend pune. Kam qenë fizikisht e psikikisht i gatshëm për një gjë të tillë, por më kanë neglizhuar duke më thënë se i kanë disa njerëz të tyre për t’i punësuar dhe se nuk ishte momenti im”, tregoi i dënuari, duke shtuar se në atë kohë, si i ri 21-vjeçar, meqë punë nuk gjente, është marrë me punë të paligjshme për të siguruar para.
Në vitin 2006 ai sërish bie në burg për vrasje në tentativë dhe grabitje. U dënua me 25 vjet burg.
Në lidhje me arratisjen e tij të fundit janë deklaruar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës nga ku thanë se ky i fundit kishte nisur të tregonte sjellje të mira.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak. Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ka marrë pjesë në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative. Bazuar në këto sjellje, ai ka kaluar në trajtim të avancuar dhe ka realizuar disa herë të drejtën e pushimit jashtë institucionit korrektues.I dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit”.
“Vallen” e arratisjeve nga drejtësia në Kosovë para gjashtë ditëve e hodhi edhe një serb.
Marko Roshiq është arratisur javën e kaluar, derisa pritej që ai të vihej prapa grilave.
Marko Roshiq, është njëri nga katër të dënuarit me 8 vjet burgim për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Që nga dita kur Gjykata mori vendim për dënimin e tij, Policia e Kosovës është në kërkim të Roshiq.
Ndryshe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë u shpall aktgjykimi dënues ndaj katër të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviq, i cili ishte lideri i Iniciativës Qytetare serbe ‘Liri,demokraci, drejtësi’.
Me tetë vite burgim u dënua Marko Roshiq, për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal lidhur me vrasje të rëndë si dhe me 10 mijë euro gjobë.
Pavarësisht kësaj, Roshiq vazhdon të jetë në liri dhe larg qëndrimit të tij në burg për veprën për të cilën është dënuar tashmë.
E dy ditë më parë Shërbimit Korrektues të Kosovë iu desh të mbanin konferencë për media pikërisht për këtë çështje.
Ismail Dibrani, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues njoftoi edhe për një arratisje tjetër.
Ai bëri të ditur se i burgosuri Ujkan Mataj ka arritur që të arratiset.
Dibrani njoftoi se Ujkan Mataj ka qenë i dënuar më 11 vite burgim dhe i njëjti në janar të këtij viti e kishte fituar të drejtën për të shfrytëzuar vikendin në shtëpi.
Sipas tij, janë 56 të burgosur të cilët nga burgjet e Kosovës janë arratisur ose nuk janë kthyer pasi kanë shfrytëzuar të drejtën e vikendit jashtë.
Në këtë listë ka persona të arratisur qysh nga viti 2007 e deri këtë vit në dy të fundit që bënë bujë në vend – Faton Hajrizi dhe Ujkan Mataj.
Duhet përkujtuar që një ditë pas arratisjes së Faton Hajrizit, ministri i Brendshëm, Xhelal Svecla deklaroi se kapja e Hajrizit ishte vetëm çështje orësh.
Por kjo gjë nuk u bë. Hajrizi dhe shumë të përfolur të tjerë më lartë vazhdojnë të jenë në liri e padyshim edhe të sjellin pasiguri të madhe tek qytetarët. Siç duket autoriteteve të Kosovës do t’u duhet shumë kohë e angazhim në mënyrë që t’i vendosë këta të fundit sërish prapa grilave.
Shumë nga të lartcekurit vazhdojnë të shfaqen në rrjete sociale, madje shpesh herë duke bërë “shaka” me autoritetet e Kosovës dhe duke u munduar që të hedhin poshtë çdo institucion të vendit.