Tentim vrasja në Gjilan: Ky është i dyshuari që u kap pas dy muajsh në arrati, ndalohet për 48 orë

Pas më shumë se dy muaj nga rasti i tentim vrasjes në lagjen Dardania në qytetin e Gjilanit, Policia ka arritur ta arrestojë personin që dyshohet se e theri me thikë një 35-vjeçar.

I dyshuari arriti ta shijojë lirinë nga arratia deri dje, kur edhe u kap nga njësitet policore.

Siç mëson Sinjali, i dyshuari që ra në prangat e Policisë është Gazmend Emërllahu, rreth 37-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Emërllahu po dyshohet se më 6 maj, pas një konflikti me viktimën është futur në sherr dhe e ka goditur të njëjtin disa herë me mjet të mprehtë – duke i shkaktuar lëndime trupore.

Ai arriti që të ikë nga vendi i ngjarjes ditën kritike dhe ka qëndruar në arrati për plot 2 muaj, derisa Policia e lokalizoi vendndodhjen e tij dhe e prangosi.

Pas shoqërimit në stacion policor, i dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin që ka ndodhur.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore.

Lexo edhe:  Gjykata e dënon me 30 vjet burgim të akuzuarin për vrasjen e 25-vjeçarit në Viti