Rrahja për pronë dhe të shtënat në Viti, këta janë personat që po kërkohen nga Policia
Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, të cilat shpesh edhe eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike. Kështu ka ndodhur së fundi në rrugën “Hebib Sejdiu” në Viti, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se anëtarët e familjes Mustafa janë përfshirë në një konflikt që eskaloi në rrahje dhe në të shtëna me armë.
Dy personat e dyshuar lidhur me rastin tashmë janë shpallur në kërkim nga Policia dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Alban dhe Avdullah Mustafën – të dyshuar për përfshirje në këtë incident.
Sipas informacioneve të para, të dyshuarit kanë gjuajtur me kallashnikov disa herë në ajër e më pas i kanë sulmuar fizikisht viktimat pas një mosmarrëveshje për çështje pronësore.
Pas denoncimit të rastit, Policia ka arritur që të intervenojë, por të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhojat që dyshohet të jenë të armës AK-47 që u përdor nga të dyshuarit – që janë sekuestruar si prova.
Lajmin e kane konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Gjilan.
“Dy viktimat meshkuj kosovarë, kanë raportuar se pas një mosmarrëveshje pronësore, janë sulmuar fizikisht nga dy të dyshuarit meshkuj kosovarë, e me pas edhe njeri prej tyre ka shtënë me armë zjarri në ajër.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ku kanë gjetur dhe konfiskuar 7 gëzhoja që dyshohet të jenë të armës AK-47.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa të dyshuarit janë në kërkim policor.” – njoftoi Policia.