Krimet Ekonomike arrestojnë instruktorin e një autoshkolle, mori ryshfet për t’ia kryer dikujt testin për patentë

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), sot kanë realizuar një aksion, që kishte cak dy persona, që dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme. Si rezultat, janë iniciuar dy raste penale.

Në njërin rast është arrestuar instruktori i një autoshkolle në Pejë, si i dyshuar për ryshfet.

Sipas Policisë, i dyshuari B.G., u kap në flagrancë duke pranuar 500 euro që t’ia mundësojë një personi kryerjen e testit me shkrim për patentë shofer.

Në këtë rast, hetuesit kanë aplikuar edhe masa të veçanta hetimore.

“Rasti i parë: hetuesit e Sektorit për Hetime Financiare të DHKEK, duke përdorur masat e veçanta të hetimit, kanë arrestuar të dyshuarin: B.G., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), instruktor në një auto-shkollë në Pejë. I njëjti është arrestuar në flagrancë duke pranuar një shumë prej 500 eurove nga një person për t’i mundësuar atij kryerjen e testit me shkrim për patentë shofer. Të dyshuarit gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar mjetet monetare të cilat kanë shërbyer për simulim të veprës penale. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndaj tij është iniciuar rasti ‘pranim i ryshfetit në sektorin privat’ dhe më pas, me akt- vendim të prokurorit të PTH-Pejë i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.”

Edhe rasti tjetër ka ndodhur në Pejë, ku janë realizuar kontrolle në tri barnatore dhe janë gjetur një sasi e barnave pa banderola.

Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

“Rasti i dytë: DHKEK, përkatësisht hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit -Pejë, më 27.06.2024, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore Pejë, ku së bashku me Inspektorët Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë realizuar kontrolle në tri barnatore në Pejë. Gjatë kontrollit, në dy barnatore, është gjetur një sasi e barnave pa banderola.

Lexo edhe:  IPK rekomandon suspendimin e dy policëve të dyshuar për kontrabandë me mallra

Janë sekuestruar 144 paketime të barnave të ndryshme. Në prezencë të avokatit është intervistuar i dyshuari: N.Zh., (viti i lindjes 1987, mashkull kosovar). Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’. Me akt-vendim nga prokurorja, rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt.“