E dhimbshme: Kjo është gruaja që humbi jetën në aksidentin në magjistralen Ferizaj – Gjilan
Një grua ka humbur jetën sot si pasojë e një aksidenti mes një kamioni dhe një veture në magjistralen Ferizaj-Gjilan, konkretisht në fshatin Sojevë të Ferizajt. Viktima ishte pasagjere në veturë, e cila fatkeqësisht nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve dhe vdiq.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se gruaja që humbi jetën është Gyltene Halili, rreth 51-vjeçare.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se shoferi i veturës po ashtu ka pësuar lëndime dhe është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
“Me datën 26.06.2024 rreth orës 17:00 kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Ferizaj-Gjilan, konkretisht në fshatin Sojevë të Ferizajt ka ndodhur një aksident komunikacioni, ku janë përfshire një kamion transportues dhe një veturë me targa vendore. Për pasoj e këtij aksidenti një person e gjinisë femër e moshës madhore, e cila ishte pasagjere në veturë ka humbur jetën, vdekja e saj është konfirmuar nga mjekët kujdestarë në vendin e ngjarjes”, tha Veseli.
“Ndërsa lëndime trupore ka pësuar shoferi i veturës, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Ekipe të policisë, emergjencave dhe zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Hetuesit policorë të aksidenteve janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes”, tha tutje ai.