Konflikt familjar në Skenderaj: Vjehrra 54-vjeçare ushtron dhunë ndaj nuses, ajo e denoncon në Polici
Çdo ditë në vendin tonë raportohen dhjetëra raste të dhunës në familje, ku viktima janë zakonisht gratë që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga familjarët e tyre. Por nuk janë të rralla edhe rastet kur nga dhuna pësojnë edhe nuset të cilat kanë probleme me vjehrra, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në fshatin Leqinë të Skenderajt, ku një 54-vjeçare dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së djalit të saj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 23-vjeçarja e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer se vjehrra e saj ka ushtruar dhunë psikike dhe po ashtu e ka ofenduar me fjalë të ndryshme.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarën, e cila është intervistuar lidhur me rastin.
Ndërsa viktima është dërguar në strehimore, pasi nuk ka pranuar të kthehet te shtëpia e burrit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, e dyshuara do të hetohet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.