Kosova në grevë, Kurti publikon pamje nga takimet në Japoni
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Japoni për të marrë pjesë në funeralin shtetëror të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.
Kurti është i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Gjatë qëndrimit në Japoni, Kurti është paralajmëruar se do të ketë disa takime zyrtare.
Për një të tillë ka njoftuar kryeministri pak minuta më parë. Ai ka bërë të ditur se është takuar me Kryetarin e Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda.
Kurti ka thënë se kanë biseduar rreth shtimit të bashkëpunimit mes të dyja vendeve.
“Gjatë vizitës dyditore në Japoni me rastin e ceremonisë lamtumirëse dhe funeralit shtetëror për ish kryeministrin z. Shinzo Abe, zhvillova takim me Kryetarin e Kuvendit të Japonisë, z. Hiroyuki Hosoda, i cili na priti në rezidencën e tij zyrtare. I shoqëruar nga Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, dhe ambasadori ynë, z. Sabri Kiçmari, prezantuam të arriturat e Kosovës, e falënderuam për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë dhe shprehëm interesimin për investime japoneze në Kosovë. Me Japoninë ndajmë pikëpamje të njëjta sa i përket rrethanave gjeopolitike në botë dhe vlerave demokratike e humane andaj duhet ta shtojmë bashkëpunimin. Paraprakisht, vizitova ambasadën e Republikës së Kosovës në Tokio ku na u bashkangjit për takim edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Gjergj Teneqexhiu”, shkruan Kurti.