Pushteti i Kurtit mbi Listën Guxo: Askush nga partia e saj s’po “guxon” t’i dalë në krah Osmanit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shpërthyer me kritika ndaj Qeverisë së Kosovës. Shefja e shtetit e ka akuzuar Qeverinë Kurti se e kanë injoruar në disa çështje të rëndësishme për vendin.

Kritikat e presidentes ndaj Qeverisë kanë mbetur zë i vetmuar. Kjo pasi askush prej pushtetit nuk i ka dalë në mbrojtje. Madje, krah presidentes nuk i kanë dalë as zyrtarët e Listës Guxo.

Ndonëse zyrtarët e këtij subjekti politik njihen si “guximtarë”, ata duket se nuk po e gjejnë guximin për t`u përballur me kryeministrin Albin Kurti.

Në Qeveri, “Guxo” ka dy ministra dhe disa zëvendësministra, kurse në Kuvend përfaqësohet nga disa deputetë, por deri me tani askush prej tyre nuk e ka mbrojtur presidenten Osmani, themeluesen e Listës Guxo.

Zyrtarja e vetme e këtij subjekti politik që ka komentuar përplasjen ka qenë deputetja Jeta Statovci.

Ajo ka mohuar se ka përplasje në mes të kryeministrit dhe presidentes.

“Askush të mos presë që të ketë çarje të raporteve në rrafshin institucional e edhe personal, këta janë përbashkuar në kuadër të kauzës së përbashkët dhe përkushtimit fisnik që kanë në raport me Kosovën. Ka mendime të ndryshme, edhe në kuadër të parimeve të demokracive mund të lejohen mendime e qasje ndryshe kështu që në mes të komunikimit të ndërmjetëm të qartësohen këto qëndrime”, ka deklaruar Statovci në KTV.

Sipas saj, kritikat e shefes së shtetit për qeverinë mund të jenë imponuar nga dinamikat e procesit.

“Kjo çështje mund të jetë imponuar nga fakti i dinamikës së procesit në tërësi, të cilat kanë imponuar që institucionet të veprojnë në shpejtësi të tillë”, është shprehur ajo.

Në këtë debat është përfshirë edhe deputeti i LVV-së, Armend Muja.

Lexo edhe:  Turqia sot merr drejtimin e KFOR-it në Kosovë  

As ky nuk mendon se ka përkeqësim kapital në raportet në mes të dy krerëve të shtetit.

“Presidenti është për të përfaqësuar unitetin dhe kjo nënkupton se kohë pas kohe mund të kemi pikëpamje të ndryshme për ndonjë taktikë apo strategji por e rëndësishmë është që në kuptim të raporteve, për aq sa e di unë dhe për aq sa e di nga Kurti, ekziston një nivel i respektit maksimal për institucionin e Presidentit dhe besoj që kjo duhet të vazhdoj. Diskutimet në lidhje me koordinim apo moskoordinim unë besoj që ka hapësirë që të gjitha palët të mbledhën dhe të diskutojnë se cilat janë shqetësimet por nuk shoh ndonjë përkeqësim kapital në raport.”, ka thënë ai në “Pressing”.

Ndryshe, ajo i ka reaguar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se për shkak se presidentja ka qenë në SHBA, nuk kanë mundur të koordinohen për dërgimin e letrës në Këshillin e Evropës.

Osmani ka thënë se deklarata e Konjufcës është qesharake dhe se telefonat ekzistojnë dhe se një temë e tillë e rëndësishme do të duhej të ketë koordinim.

“Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftë se dikush vërtetë deklaron diçka të tillë sepse jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kane qenë pikërisht përmes telefonit”, ka thënë ajo.

Sipas presidentes, me anë të kësaj letre qeveria ka shkelur parimet e saj për Asociacionin.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim

“Sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit dhe të thuhet që një informatë kaq fondamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshu në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajt deri atë ditë. Që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, është shprehur ajo.

“Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët, prandaj është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84 që qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që sipas kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i presidencës e të thuhet që kjo në çfarëdo mënyrë paska pas të bëjë me largësinë për mua është diçka që nuk dua ta besojë që dikush e thotë. Sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj të presidenca që për mua është vërtetë edhe shumë qesharake sepse të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo ditë të javës në komunikim me të gjithë për tema të rëndësisë kapitale sidomos në fushën e politikës së jashtme që janë brenda mandatit të presidentes e kjo absolutisht për mua është befasi tepër e madhe”, ka thënë Osmani.

Lexo edhe:  Befason Romeo, bën një tatuazh dedikuar Heidit