Kurti i fton për darkë, PDK-ja e pranon ftesën
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, do t’i përgjigjet ftesës për një takim pune me kryeministrin Albin Kurti.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka thënë për express se Krasniqi në këtë takim do të diskutojë mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja, për të cilat tha se PDK i sheh si zgjidhje për të dalë nga “kriza në çdo fushë”.
“Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka thënë Abdullahu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare (LDK, PDK dhe AAK) për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror. Takimi është paraparë të mbahet të hënën më 13 maj.