Dhëndri në Skenderaj e kanos mikun dhe e përcjellë me veturë, intervenon Policia dhe e arreston

Konfliktet në familjet kosovare janë të shpeshta dhe në shumicën e rasteve eskalojnë në përleshje e kanosje serioze. Një rast i tillë që dyshohet se ka ndodhur në Skenderaj është denoncuar gjatë ditës së djeshme dhe një person tashmë ndodhet në ndalim.

Siç mëson Sinjali, këtë herë në rast janë përfshirë miku dhe dhëndri, ku ky i fundit  po dyshohet se është kapur me babanë e gruas pas një mosmarrëveshje.

Në bazë të informacioneve të para, viktima është ai që ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka raportuar se dhëndri i tij e ka kanosur me armë teksa ishte duke e përcjellë me veturë.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se fillimisht palët kanë pasur mosmarrëveshje në fshatin Çubrel e më pas kanë vazhduar dhe më pas gjatë rrugës dyshohet se plasi sherri.

Si rezultat i denoncimit, të njëjtat burime thonë se i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka deklaruar se familja e gruas së tij po tentojnë të ndërhyjnë në martesën e tyre, edhe pse sipas tij ata s’kanë mosmarrëveshje.

Por ndryshe ka deklaruar bashkëshortja e tij, e cila po ashtu është marrë në pyetje dhe ndër të tjera ka rrëfyer problemet me të dyshuarin.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti.

Lexo edhe:  Punime në rrjet, KEDS tregon për vendet ku do të ketë ndërprerje të rrymës nesër