Gjenden të gjithë trupat e familjes Arrazi – krejt çka dihet për tragjedinë në lumin Buna

Trupi i 39 vjeçares Alma Arrazi u gjet sot në afërsi të Pentarit, pas sinjalizimit të forcave policore malazeze, të cilat po patrullonin përgjatë ujërave të përbashkëta të Lumit Buna. Gjatë paradites së sotme, polumbarët e RENEAS gjetën edhe trupin e djalit 3 vjeçar të familjes Arrazi.

Alma Arrazi dyshohet se u vetëmbyt me datën 2 maj, në afërsi të Urës së Bunës, duke marrë me vete edhe tre fëmijët e saj, dy vajzat 9 dhe 8 vjeçare si dhe djalin 3 vjeç.

Dyshimet e para për vetëmbytjen e saj lindën tre ditë më parë, kur një peshkatar i zonës gjeti rastësisht të mbytur në Lumin Buna vajzën 9 vjeçare të familjes Arrazi.

Pas kësaj, policia vendore e Shkodrës nisi kërkimet dhe ndaloi bashkëshortin e Almës, babain e tre fëmijëve, 31 vjeçarin Ergys Arrazi, me dyshimin e shkaktimit të vetëvrasjes si pasojë e dhunës së ushtruar.

Drejtuesit e Policisë së Shkodrës kanë bërë të ditur se, deri në momentin e ngjarjes, nuk kanë patur ndonjë denoncim nga Alma Arrazi për dhunë në familje.

Prokuroria e Shkodrës në një njoftim bëri të ditur se nga hetimet e deritashme ka “krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi Ergys Arrazi, si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e shtetases Alma Arrazi, e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur”.

Ergys Arrazi u paraqit ditën e marte në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër, e cila i shqiptoi masën e sigurisë “arrest me burg”, nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes për shkak të dhunës.

Lexo edhe:  Reduktime të energjisë elektrike

Në lidhje me mbytjen e 4 pjesëtarëve të familjes Arrazi prokuroria ka shpallur në kërkim policor edhe katër persona që kanë lidhje me ngjarjen. Ndërsa nga ana e policisë gjyqësore është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Ergys Arrazi, ku nuk janë konstatuar sende të paligjshme. Hetimet e prokurorisë dhe policisë pritet të thellohen më tej për të kuptuar dhe zbuluar rrethanat që shtynë 39 vjeçaren Arrazi të vetëmbytet në Lumin Buna duke marrë me vete edhe tre fëmijët e saj të pafajshëm.

Operacioni i kërkimit për gjetjen e katër trupave të pjesëtarëve të familjes Arrazi zgjati tre ditë dhe në të u angazhuan 96 forca policore, 13 mjete, forcat e ushtrisë si dhe shumë banorë të zonës që jetojnë përgjatë bregut të Lumit Buna.

Një ditë më parë, Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ishte në zonën pranë Urës së Bunës, ku po zhvillohej oreracioni i kërkimit. Ministri Balla e cilësoi të rëndë ngjarjen dhe bëri thirrje për denoncimin e çdo lloj të dhunës. Dhuna, tha Ministri Balla, shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike, pasi dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. /VOA