Ky është personi që dyshohet se e ndoqi dhe kërcënoi me kallash pronarin e ‘Zone’

Më parë u raportur për incidentin në të cilin u përfshi njëri nga pronarët e klubit të natës ‘Zone’ dhe disa lokaleve tjera të gastronomisë në vend. Dekorim Sahiti është përballur me kërcënime serioze nga një person i cili dyshohet se e ndoqi dhe e kërcënoi me kallashnikov, pas një zënke në komunikacion.

Sinjali mëson se personi që u arrestua nën dyshimet për kanosje ndaj Sahitit, është Bashkim Gashi, 30-vjeçar.

Gashi dyshohet se ditë më parë i është vënë mbrapa me veturën e tij duke e ndjekur deri në parkingun e ‘Hib Petrol’ në Çagllavicë, ku edhe e kishte nxjerrë armën e llojit kallashnikov dhe e kishte kërcënuar Sahitin. Ky i fundit u detyrua që rastin ta denoncojë në organet e rendit.

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe me urdhër të Gjykatës, kanë kryer bastisje në shtëpinë e të Gashit, mirëpo nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë.

Si pasojë e përsëritjes së veprës, i dyshuari dje është ftuar sërish për intervistim, ku me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Na ka marrë malli të shkojmë në punë”: Rrëfimet e serbëve që braktisën institucionet e Kosovës