Merren në pyetje ish-anëtarët e Këshillit Drejtues të Spitalit të Mitrovicës, akuzohen për korrupsion
Mitrovicë – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të premtën ka vazhduar marrja në pyetje e të akuzuarve Zahir Musa, Rrahim Merovci dhe Fatime Zeneli.
Në këtë rast, Mirdi Strana, Ixhmet Rexhepi, Zahir Musa, Rrahim Merovci dhe Fatime Zeneli, ku i pandehuri i parë si kryetar dhe të tjerët si anëtarë të Këshillit Drejtues të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, po akuzohen për avancimin e një punonjësi në këtë spital duke shpërfillur procedurat ligjore.
Fillimisht, në këtë seancë është marrë në pyetje i akuzuari Zahir Musa.
Ai tha se Arbnor Bajraktarin e ka njohur si punëtor të administratës, i cili është marrë me ndërrimin e tonerëve, dhe se avancimin e tij si menaxher të IT-së e ka kuptuar nga organet e hetuesisë kur është thirrur pët t’u intervistuar.
Tutje, ai tha se nuk i kujtohet nëse është diskutuar çështja e avancimit të Arbnor Bajraktarit apo nëse i njejti është votuar, pasi procesverbali i datës 13 qershor 2015 nuk ju është prezantuar dhe nuk është nënshkruar nga anëtarët e mbledhjës pasuese.
Sipas tij, këshilli drejtues nuk ka pasur kompetencë të avancojë punëtor pa konkurs të brendshëm.
Ai tha se nuk e ndien vetën përgjegjës për avancimin e Arbnor Bajraktarit bazuar ne faktet si: mosdiskutimi për avancim në këshill drejtues, mos nënshkrimi i procesverbalit, dhe mos votimi i tij.
I akuzuari Musa tha se trajtimi i çështjeve sipas kompetencës në këshill drejtues është bërë varësisht prej temës, sipas tij, anëtari që ka qenë përgjegjës për lëminë përkatëse e ka dhënë mendimin, dhe ai mendim është ngritë për diskutim dhe votim, dhe është marrë vendimi gjithëherë duke u konsultuar me zyrën ligjore dhe drejtorin e administratës për shërbime publike.
Pasi kryetari i trupit gjykues Rrahman Beqiri e njoftoi të akuzuarin Musa, se të akuzuarit Mirdi Strana dhe Ixhmet Rexhepi kanë deklaruar se është mbajtur mbledhja me procesverbal dhe se të gjithë anëtarët kanë votuar për avancimin e Arbnor Bajraktarit.
I akuzuari Musa pyeti të akuzuarin Rexhepi se a ka mundësi që ta argumentojë këtë me procesverbal se çfarë është disktuar në atë mbledhje dhe kush e ka nënshkruar.Lidhur me këtë, i akuzuari Rexhepi tha se mbetet pranë asaj çfarë ka deklaruar dhe nuk ka çfarë të shtoj.
Më pas, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarit Rrahim Merovci.
I akuzuari Merovci tha se në spitalin e Mitrovicës ka punuar që nga viti 1986 e deri në pensionim, dhe se anëtar i këshillit drejtues ka qenë që nga viti 2010.
Ai tha se nuk i kujtohet nëse është mbajtur mbledhje e këshillit drejtues për avancimin e Arbnor Bajraktarit, dhe se nuk kanë pasur diskutime më herët për këtë çështje.
Merovci tha se nga aspekti administrativ nuk e din nëse kanë pasur të drejtë të avancojnë punëtor, por kur kanë pasur dilema për këto çështje janë konsultuar me drejtorin e administratës, Ixhmet Rexhepin dhe menaxherin e personelit, Driton Selimin.
I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Strana, avokati Armend Shkoza se a është e saktë që është mbajtur mbledhja e datës 15 qershor 2015, i akuzuari Merovci tha se nuk është mbajtur.
Edhe e akuzuara Fatime Merovci deklaroi se dëshrion që ta paraqes mbrojtjen.
Gjatë deklarimit të saj, ajo tha se asnjëherë nuk ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Spitalit të Mitrovicës, dhe se gjatë punës së saj në spital vetëm njëherë ka qenë e thirrur në mbledhje drejtuese, dhe atë në kohën kur ka qenë duke e zëvendësuar drejtoreshën e infermierisë, Rukjie Merovci, dhe se data e asj mbledhje nuk i kujtohet.
Tutje, ajo tha se nuk i kujtohet ta ketë dëgjuar emrin Arbnor Bajraktari në ndonjë diskutim, dhe se është thirr në mbledhje duke mos e ditur arsyen pse, por sipas saj, ajo ka menduar se po thirrët për punë të infermierisë.
Tutje, e akuzuara Zeneli tha se është e sigurtë se në mbledhjen e mbajtur nuk është votuar avancimi i Arbnor Bajraktarit, dhe se në atë mbledhje nuk ka votuar për asnjë çështje.
Në fund, prokurori Sahit Tmava dhe mbrojtësi i të akuzuarit Strana, avokati Armend Shkoza propozuarn shtyerjen e seancës për shkak të përgatitjes së fjalës përfundimtare.
Në këto rrethana, seanca e këtij shqyrtimi gjyqësor është shtyrë për 27 maj 2024, në orën 9:00.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 16 qershor 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Mirdi Stranës, Ixhmet Rexhepit, Zahir Musës, Rrahim Merovcit dhe Fatime Zenelit, me arsyetimin se si persona zyrtarë, Strana – kryesues, Rexhepi, Musa, Merovci e Zeneli si anëtarë të Këshillit Drejtues të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personit tjetër ose t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.
Sipas aktakuzës, të njëjtit me dashje, pa i përfillur procedurat e konkursit pasi që është dashur të shpallet, në mbledhjen e mbajtur të Këshillit Drejtues më 30 qershor 2015, kanë aprovuar kërkesën e Arbnor Bajraktarit me edukim “Bachelor i arteve në menaxhment”, për avancim në pozitën “Menaxher të teknologjisë informative (TI)” me koeficient 8.40 (paga bazë 634 euro e 39 centë), edhe pse Bajraktari ka pasur kontratë pune në kohë të pacaktuar, të datës 13 shkurt 2014 në pozitën “Administrator në sistemin informativ shëndetësor” në Spitalin e përgjithshëm në Mitrovicë, me koeficient 4.80 (paga bazë 290 euro).
Aktakuza thotë se i pandehuri Mirdi Strana në kundërshtim me Ligjin e Punës nr.03/L212, ka marrë vendim më 30 qershor 2015, së bashku edhe me të pandehurit tjerë, sipas të cilit Arbnor Bajraktarin e caktojnë në pozitën “Menaxher i teknologjisë informative (TI)”, Departamenti i administratës dhe shërbimeve ndihmëse në Spitalin e përgjithshëm në Mitrovicë, me çka i kanë shkaktuar dëm financiar buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë deri në ngritjen e kallëzimit penal në vlerë prej 14 mijë e 482 euro e 25 centë.]
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi