Personi që u vra dje në Pejë ishte dhëndri i familjes së të dyshuarit
Hakmarrja dyshohet se ishte motivi i rastit të rëndë që ndodhi të mërkurën në Pejë, ku një person u godit për vdekje qëllimisht nga një veturë. I ndjeri Ilir Osmani dhe i dyshuari Sergio Jonuzi, të dy nga Elbasani dyshohet se kanë pasur edhe më parë konflikt, që përfundoi tragjikisht dje. Ndaj të dyshuarit sot po mbahet seanca dëgjimore dhe më pas pritet të caktohet masa e paraburgimit.
Sherri mes tyre dyshohet se ka nisur kohë më parë, kur Ilir Osmani, tash i ndjerë, dyshohet se ia kishte djegur shtëpinë të dyshuarit Jonuzi. Në shenjë hakmarrje, ky i fundit, po dyshohet se ia ka zënë pritën gjatë ditës së djeshme dhe e ka goditur qëllimisht për vdekje.
Sinjali ka mësuar se palët kanë pasur lidhje familjare.
Viktima ka qenë i martuar me hallën e të dyshuarit, me të cilën ishin ndarë qe një kohë dhe madje ekziston edhe një urdhër mbrojtje nga Gjykata.
Pra, Ilir Osmani ka qenë dhëndëri i familjes së të dyshuarit, Sergio Jonuzi.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se edhe në Shqipëri, palët kanë pasur një rast të hapur në Polici.
Në kuadër të veprimeve hetimore, Policia ka sekuestruar një veturë, që dyshohet se është pronë e të dyshuarit.
Sinjali do të iu mbajë të informuar për vendimin e gjykatës.