Gjykata merr një vendim ndaj Ilir Abdullahut i dyshuar për përfshirje në vrasjen e policit Riza
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Ilir Abdulllahut, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasje e policit Trimuf Riza.
Një gjë e tillë u bë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësja e kësaj gjykatë Mirlinda Gashi.
“I është vazhduar masa e paraburgimit më datën 04/04/2024 për dy muaj nga gjykatësi i procedurës paraprake”, tha Gashi.
Ndryshe, më 16 tetor 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte zëvendësuar Abdullahut masën e paraburgimit me atë të dorëzanisë në vlerën prej 100 mijë euro. Gjykata e Apelit më 3 nëntor 2023 e ka kthyer në paraburgim të dyshuarin për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, Ilir Abdullahu, i njohur si “Liza”.
Abdullahu deri në momentin e arrestimit të tij më 16 korrik 2023 ishte në arrati mbi 10 vite dhe ishte në kërkim edhe të INTERPOL-it.
Ndërkohë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vijon procesi gjyqësor ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje në vrasjen e Rizës.