Këta janë personat që dyshohet se planifikuan vrasjen e një 32-vjeçari në Pejë

Hetimi i nisur nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar lidhur me një rast në rajonin e Pejës, ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme. Rasti lidhet me një vrasje që planifikohej të kryhej

Dy personat e arrestuar dyshohen se kanë lidhur marrëveshje me njëri – tjetrin për vrasjen e një 32-vjeçari.

Siç ka mësuar Gazeta Sinjali ekskluzivisht, dy të dyshuarit janë Dritëro Kastrati dhe Bernuard Isufi – ndaj të cilëve është lëshuar aktvendim për masën e ndalimit policor.

Në bazë të informacioneve të para, gjatë muajve të fundit të vitit 2023, i dyshuari Kastrati e kishte paguar të dyshuarin Isufi për vrasjen e viktimës.

Sipas dosjes së organeve të rendit, palët janë marrë vesh që në rast se nuk kryhet vrasja, t’i shkaktohën dëme të mëdha viktimës si shenjë revolte.

Sinjali ka marrë vesh se gjithçka dyshohet se lidhet me një borxh që viktima ia ka pasur të dyshuarit Kastrati – e të cilit nuk kishte arritur t’ia kthente paratë e huazuara.

Në dëshmitë e të dyshuarve para hetuesve policorë, të njëjtit e kanë pranuar veprën me të cilën ngarkohen dhe kanë zbuluar detajet e marrëveshjes.

Pas përfundimit të procedurave policorë, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore.

Ndryshe, kur ligji parasheh dënimin për përgatitjen e veprës penale të caktuar, përgatitja e veprës penale përfshin furnizimin me mjete ose aftësimin e mjeteve për kryerjen e veprës penale; mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale; marrëveshjen, planifikimin ose organizimin me personin tjetër për kryerjen e veprës penale, si dhe veprimet tjera me të cilat krijohen kushtet për kryerjen e drejtpërdrejt të veprës penale.

Lexo edhe:  Tensionet e Vuçiqit në New York: 7 ditë luftë, pata biseda të vështira për Kosovën