“Mos fol broçkulla…” – Dëshmi të reja se si Faton Peci kishte ushtruar presion ndaj zyrtarëve për skandalin e granteve

Dy vjet më parë, në kohën kur në qendër të vëmendjes ishte skandali me grante në ministrinë e Bujqësisë, Periskopi ekskluzivisht kishte raportuar rreth presionit të madh që iu bënte ministri në atë kohë, Faton Peci, zyrtarëve të kësaj Ministrie lidhur me çështjen e granteve.

Artikulli i publikuar në vitin 2024, dëshmonte se ministri Peci kishte intervenuar e pasur ndikim vendimtar që për disa fermerë që i kishte refuzuar Drejtoria e Miratimit të Projekteve të Zhvillimit Rural, ministri kishte bërë kërkesë që të rikthehen në vlerësim (lexo artikullin në link  ).

Edhe pse Prokuroria ishte aktivizuar lidhur me këtë çështje, ende nuk ka diçka konkrete nga ana e tyre.

Tash kur kanë kaluar dy vite, Periskopi ka arritur të sigurojë dëshmi të reja, të cilat zbulojnë detaje mbi përplasjet e brendshme në këtë institucion.

Në një nga e-mailat e siguruar, ministri Peci i ishte drejtuar drejtpërdrejt Sekretarit të Përgjithshëm, Blerim Hasani, me një gjuhë të ashpër dhe kritikuese, duke e akuzuar për mungesë njohurish bazike dhe moszbatim të udhëzimeve.

“Mos shkruaj broçkulla morale… sepse nuk jeni ju ai që i tregoni e vlerësoni epërorët tuaj…”, thuhej në e-mailin e ministrit.

Tutje në të njëjtin komunikim, Peci paralajmëron për pasoja në rast të mosveprimit sipas kërkesave të tij, duke përmendur edhe “mospermbushje të detyrave” dhe “bojkot të qëllimshëm” nga ana e zyrtarit.

Në anën tjetër, përgjigjja e Sekretarit të Përgjithshëm, Blerim Hasani, tregon një kundërshtim të qartë ndaj mënyrës së komunikimit dhe qasjes së ministrit.

“Me forcë dhe me presion, nuk mund dhe nuk e kam të lejuar ligjërisht të detyroj asnjë zyrtar të ndërmarrë një veprim apo të nënshkruaj një shkresë zyrtare…”, thuhet në përgjigjen e Hasanit.

Lexo edhe:  Shkoi për të punuar në shtëpinë e 57-vjeçarit në Prishtinë, i riu ia vjedh veturën dhe zhduket

Ai shkon edhe më tej, duke e cilësuar të papranueshme mënyrën e ushtrimit të presionit dhe duke kërkuar që proceset të zhvillohen përmes konsultimit institucional dhe jo përmes imponimit.

Hasani thekson se kërkesa për nënshkrim të dokumenteve duhet të kalojë nëpër procedurat ligjore dhe përmes departamenteve përkatëse, ndërsa paralajmëron për pasojat ligjore që mund të lindin nga veprime të nxituara apo të detyruara.

Në një tjetër e-mail, vetëm një javë pas kësaj përplasjeje mes Pecit dhe Hasanit –që dikur ishin miq– ky i fundit lë të kuptohet për një marrëdhënie jo të mirë me ministrin, duke përmendur se largimi i tij nga pozita është bërë pas një marrëveshjeje me ministrin për të kaluar në një vend tjetër pune.

Pasi Hasani nuk i ishte ‘bindur’ Pecit, në vend të tij, kishte ardhur e njohura tezakja e Vjosa Osmanit, Venera Çerkini, për të cilën Periskoi gjithashtu ka publikuar disa prej skandaleve që e kanë përcjellur atë.

Venera Çerkini, tezakja e Presidentes, veç për dy vite shkeli 23 herë procedurat ligjore – detaje nga statistikat e KPMSHC-së

Normalisht, marrëdhëniet e Pecit me Osmanin deri dikur vonë ishin të mira…

Këto dokumente, të siguruara nga Periskopi, përforcojnë edhe më shumë dyshimet për ndërhyrje dhe presion në proceset vendimmarrëse nga ish- ministri Peci, tani kryetar i Mitrovicës./ PERISKOPI/ Enis Rrustemi/