Tentoi të vidhte rreth 70 ‘Argeta’ në një shitore në Prishtinë, kapet mat shtetasi i Maqedonisë së Veriut
Rastet e vjedhjeve nëpër shitore dhe biznese në Kosovë nuk janë të rralla, por jo gjithmonë kapen personat e dyshuar, pasi të njëjtit arrijnë të ikin. Kështu nuk ndodhi me një person në Prishtinë, i cili u kap në flagrancë duke kryer vjedhje në një shitore në Prishtinë.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari u kap mat nga punëtori i ‘Meridian’ në rrugën ‘Vicianum’, pasi i njëjti kishte tentuar t’i vjedhë rreth 70 copë pashteta të pulës ‘Argeta’.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë, ku është parë se i dyshuari edhe më parë ka kryer vjedhje në këtë shitore.
38-vjeçari, i cili është shtetas i Maqedonisë së Veriut, është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor për veprat penale ‘Vjedhje’ dhe ‘Vjedhje në tentativë’.