Prokuroria nis hetimet ndaj kompanisë ‘Maloku’, vinçi rrezikoi banorët në Mat

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj përgjegjësit të kompanisë së ndërtimit “Maloku Group” në Prishtinë, nën dyshimet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, në lagjen Mati 1, gjatë punimeve të kryera nga kjo kompani.

Siç mëson Sinjali, rasti u zbulua pas denoncimit të një qytetari, i cili u ankua se një vinç i kësaj kompanie ka prekur objektin banesor, duke i rrezikuar në masë të madhe edhe banorët e tjerë, që jetojnë në atë banesë.

Burimet nga Prokuroria thonë se pas raportimit të rastit, Policia është vënë në veprim dhe ka intervistuar përgjegjësin e kompanisë, i cili ka zbuluar arsyen e incidentit. Sipas tij, faji është te punëtorët që kanë harruar t’ia vendosin frerët vinçit, në momentin që kanë përfunduar punimet në atë pjesë.

Si pasojë e kësaj, fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale, në njërën banesë.

Pasi janë mbledhur informatat e para, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Dëmtim Prone”.

Lexo edhe:  Ky është njëri prej të dyshuarve që shtiu me armë drejt Policisë në Zubin Potok