Ndërtuesi shet banesën e njëjtë dy herë, tre vjet pas viktima kupton mashtrimin
Kredinë do e paguajë edhe për 3 vjet të tjera, por banesën për të cilën mori hua në bankë nuk do e marrë kurrë.
Feim Ramaj, më 2019-ën e bleu një banesë nga kompania ndërtimore “Burimi Comerc”. Por tri vjet më vonë, më 2022-ën, derisa po priste t’i merrte çelësat në dorë, kuptoi që banesa për të cilën bëri pazar me Lulzim Berishën veçse ishte shitur te një blerës tjetër në vitin 2017, raporton Kiks Kosova.
Çmimi i volitshëm me të cilat shiste banesat “Burimi Comerc”, ia mbushi mendjen 45-vjeçarit që të merrte 30 mijë euro kredi për ta blerë një banesë në Lagjen e Spitalit, në Prishtinë.
Më 18 dhjetor të 2019-ës, në zyrën e noteres Valdete Ademi, Feimi së bashku me Lulzim Berishën, drejtorin e kompanisë “Burimi Comerc”, nënshkruan parakontratën për shitblerjen e banesës.
Sipas aktit noterial, pagesa prej 32 mijë eurosh u krye pas nënshkrimit të parakontratës, respektivisht pas 10 ditësh, ndërsa 2 mijë eurot e fundit, Feimi duhej t’ia paguante kompanisë ditën kur do i dorëzoheshin çelësat në dorë.
Megjithëse kontrata parashihte që banesa do të ishte e gatshme gjatë muajit prill të 2020-ës, dita e dorëzimit të çelësit vetëm shtyhej.
Pritja e Feimit për t’i marrë çelësat e banesës vazhdoi edhe gjatë, bashkë me arsyetimet e investitorit Lulzim Berisha.
Gati 1 vit pas nënshkrimit të parakontratës dhe kryerjes së pagesës, Lulzimi i tha atij se punimet në banesë po vonoheshin për shkak të disa problemeve, të cilat pretendonte se kishin lindur me pronarët e tokës ku ishte ndërtuar objekti banesor.
Por, tek 3 vjet pas nënshkrimit të kontratës, Feimi e kishte kuptuar krejt rastësisht arsyen e vërtetë se pse Lulzim Berisha nuk po ia dorëzonte çelësin e banesës për të cilën kishte paguar 32 mijë euro.
Ai ishte tronditur kur një ditë në banesën e tij hasi një person tjetër, i cili pretendonte se banesa ishte e tija.
Feimi nuk i besoi atij, por u bind kur e pa parakontratën që ishte nënshkruar më 11 tetor të 2017-ës, më shumë se dy vjet para parakontratës së tij.
Edhe më shokues për të ishte fakti se të dyja parakontratat, të cilat ishin aktive, ishin noterizuar në të njëjtën zyrë noteriale, nga noterja Valdete Ademi. /Klankosova.tv