Pritet ndërhyrja e FSK-së, Latifi flet për gjendjen pas vërshimeve në Rahovec
Gjatë të shtunës ka pasur reshje të mëdha të shiut, të cilat shkaktuan vërshime dhe dëme të mëdha në komunën e Rahovecit.
Sinjali ka kontaktuar me kryetarin e komunës së Rahovecit, Smajl Latifin, i cili ka treguar për gjendjen pas vërshimeve.
Latifi tha se shumë shpejt do ta kenë një raport të të gjitha dëmeve dhe atë do ta dërgojnë në Qeveri, për të kërkuar mbulimin e dëmeve.
“Nuk mund ta dijmë se sa është vlera e dëmit të shkaktuar, prej nesër do të kemi dy komisione për amvisëri, dy për bujqësi dhe dy komisione për ekonominë familjare, biznese dhe infrastrukturë publike. Besoj që shumë shpejtë do të kemi një raport të të gjitha dëmeve dhe atë raport objektiv do ta dërgojmë në Qeveri që të kërkojmë mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Evakuime nuk ka pasur, por ka pasur dëmet të jashtëzakonshme”, tha Latifi.
Ai po ashtu njoftoi se në këtë komunë do të shkojë sot një ekip i FSK-së që të bëjë vlerësimin e gjendjes momentale.
“Sot do të kemi një ekip të FSK-së që do ta bëjë vlerësimin e gjendjes momentale dhe analizimin e mundësive që me hi me makineri me i hap disa kanale që lidhen me Drinin e Bardhë, në mënyrë që fytat e ngushtë me i hap në tri drejtime, që me i parandalu vërshimet potenciale”, tha Latifi.
Ai tha se goditjet nga vërshimet janë përqendruar në 15 vendbanime.
“Goditjet nga vërshimet janë përqendruar në diku 15 vendbanime, kryesisht në Fortesë, Dobërdol, Krushë e Madhe, Celinë, Hoqë të Vogël e kështu me radhë”, tha i pari i Rahovecit.