Vjedhje e rëndë në një shtëpi në Ferizaj, hajnat marrin 6 mijë euro para cash dhe rreth 9 mijë euro stoli ari
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Kështu e ka pësuar mbrëmë një familje në Ferizaj, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë.
Sinjali mëson se persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë, ku kanë arritur që të vjedhin para të gatshme dhe stoli ari.
Bazuar në dëshminë e pronarit që ka denoncuar rastin në Polici, hajnat kanë vjedhur ari në vlerë të rreth 9 mijë eurove, si dhe 6 mijë euro para të gatshme.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.