Komandanti i FSK-së shkon për vizitë zyrtare në Iowa të ShBA-së
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe delegacioni i tij po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Iowa të ShBA-së me ftesë të komandantit të Gardës Kombëtare të këtij shteti.
Jashari u prit nga gjenerali Osborn, ku u fol për aktivitetet e përbashkëta në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror mes dy forcave si dhe synimet për avancimin e aktiviteteve.
“Të dy gjeneralët u pajtuan të zhvillojnë tutje programin në fushat e manovrës, logjistikës, kibernetikës, mjekësisë si dhe zhvillimit të korit të nënoficerëve”.
“Po ashtu gjatë kësaj vizite u realizuan edhe disa sesione të prezantimeve për rekrutimin dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, mbi gatishmërinë si dhe modernizimin. Të dy delegacionet patën mundësi të shkëmbejnë përvoja dhe praktika nga të dy vendet përkatëse”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, në ditën e dytë, Jashari u takuar me guvernatorin e Iowas, Adam Greggg, me të cilin folën për arritjet e FSK-së dhe rrugën përpara në zhvillimin e kapaciteteve të reja.
“KOMFSK pati mundësi të informojë atë për arritjet e FSK-së, dhe rrugën përpara në zhvillimin e kapaciteteve të reja. Zëvendës guvernatori u shpreh i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit dhe të arriturat si dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar tutje në thellimin e bashkëpunimit në nivel sa më të lartë”.
“Delegacioni i FSK-së, ka vizituar edhe Konsullatën e Kosovës në Ajova, ku u pritën nga Sekretari i Parë i Konsullatës, Z. Fatmir Rrahmanaj. Ai prezantoi punën e konsullatës dhe angazhimin e tyre në koordinimin dhe sinkronizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe të diplomacisë”, thuhet tutje në njoftim.