Prelec: Ka shumë mundësi që grupi i Radoiçiqit mund të jetë stërvitur nga ushtria e Serbisë për sulmin në Banjskë
Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka vendosur konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në listën e krizave për t’u vëzhguar në Evropë në vitin 2024, krahas luftës në Ukrainë.
Eksperti për Ballkanin i kësaj organizate Marko Prelec i tha Zërit të Amerikës se ka shumë mundësi që grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi të jetë stërvitur deri diku nga ushtria e Serbisë.
I pyetur se në raport Prelec i bën thirrje BE-së që të ushtrojë trysni mbi Serbinë për të gjetur burimin e armatimit të rëndë dërguar paramilitarëve serbë në Kosovë dhe përse mendon se Serbia po furnizon me armë paramilitarët serbë, ai tha:
“Është pyetje me vend dhe pyetje për të cilën nuk kam përgjigje të mirë. Nuk besoj që dikush e di saktë. Është e qartë që ato armë erdhën nga Serbia dhe janë dërguar kohët e fundit. Pra, janë prodhim i kohëve të fundit. Këto armë nuk mund t’i gjesh, të themi, në treg të hapur. Ka shumë mundësi që grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi të jetë stërvitur deri diku nga ushtria e Serbisë. Kjo është çfarë dimë. Ajo çfarë nuk e dimë saktë është se cili ishte qëllimi i tyre. Unë do thoja se kishin si synim nxitjen e një konflikti të armatosur me njësitë speciale të policisë së Kosovës me shpresë që KFOR-i do të tërhiqej në konflikt duke u futur mes të dyja palëve dhe të merrte kontrollin e plotë mbi veriun e Kosovës dhe t’i urdhëronte autoritetet e Kosovës që të largoheshin tërësisht nga ajo pjesë. Për mua vetëm kjo ka kuptim. Grupi nuk duket të ketë qenë aq i madh numerikisht sa për ta marrë vetë kontrollin e plotë mbi tërë veriun e Kosovës. Por nga ana tjetër armatimi i tyre ishte i tillë që përdoret vetëm kundër një kundërshtari të armatosur mirë me armë të blinduara si njësitë speciale të Kosovës. Rrjedhimisht, mund të mendohet se kishin në plan t’i përdornin këto armë dhe me qëllim për të vrarë.
Tutje i pyetur se çdo të thotë kjo për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës dhe ndaj rajonit?
“Nuk është sekret që Serbia nuk pajtohet me humbjen e Kosovës dhe se ende shpreson që ta rimarrë Kosovën, sigurisht jo të tërën, dhe këto shpresa janë të përqëndruara në veri, në pjesë e banuar me shumicë serbe. Ka pasur përpjekje në dy periudha të ndryshme që të negociohet këmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto përpjekje kanë dështuar gjatë viteve të fundit, por nuk mendoj se Serbia ka hequr dorë. Por përtej kësaj, nuk është e qartë. Shumë vëzhgues, përfshirë mua, e shohim logjikën e të menduarit të qeverisë në Beograd si jo të qartë dhe të vështirë për t’u lexuar. Andaj na mbetet ta gjykojmë përmes veprimeve të tyre. Dhe nganjëherë, si në këtë rast, ato flasin më shumë se fjalët”, deklaroi ai.