Gëzim e krenari në familjen mërgimtare: Motra diplomon si police, vëllau si infermier

Njomza dhe Asdren Husaj janë motër e vëlla. Gjatë muajit nëntor, brenda pak ditësh, kanë diplomuar që të dy.

Njomza diplomoi për police në Vjenë, ndërsa Asdreni për infermier. Lidhur me emocionet e tyre dhe gëzimin në familje, ata rrëfejnë për revistën albinfo.at

Njomza është një vajzë e thjeshtë, e çiltër, pozitive dhe shumë e dashur. Ajo ka zgjedhur të ushtrojë profesionin e polices, profesion ky sa i bukur, aq edhe i vështirë, por nga motivi dhe inteligjenca që zotëron, për të është thjesht një bekim që i është dhënë.

E diplomuar për police, Njomza Husaj zyrtarisht ka veshur uniformën e policisë austriake. Ajo ishte pjesë e një grupi policësh të rinj nga Vjena, të cilët para pak ditësh e kishin edhe ceremoninë zyrtare.

Të punosh në polici, në një shtet si Austria, është përgjegjësi e lartë. Duhet vërtet etikë pune dhe angazhim individual për t’ia dalë mbanë.

Njomza e ka pranuar dhe i ka bërë të gjitha llogaritjet e këtij profesioni, andaj ndihet me fat që sot është pjesëtare e Policisë së Austrisë.

“Unë i kam admiruar gjithmonë punonjësit e policisë dhe gjithmonë kam pyetur veten se me çfarë përballen ata në baza ditore. E dija që ishte një profesion shumë i sigurt dhe se mundësitë për avancim ishin të mëdha. Më pëlqen shumë edhe uniforma”, buzëqesh ajo.

Njomza ka lindur në një qytet të vogël, në Ride të Austrisë së Epërme (Oberösterreich). Aty jetoi 12 vjet së bashku me nënën e saj, Lirijen, babain Jakupin dhe me dy vëllezërit: Asdrenin dhe Artanin. Më pas, së bashku me familjen u vendosën në Baden, Austri e Ulët (Niederösterreich). Aty ajo pas katër vjetësh, mbaroi maturën në gjimnazin.

Lexo edhe:  Vetura që u dogj mbrëmë pranë QKUK-së ishte zyrtare, i takonte MSh-së

Njomza tregon se ndjehet e barabartë me të gjithë në rrethin shoqëror, pa paragjykime.

“Meqenëse jam lindur dhe shkolluar këtu, për mua nuk ka qenë aspak e vështirë të ambientohem me jetën dhe shoqërinë në Austri. Edhe pse njerëzit dhe kultura ndonjëherë janë shumë të ndryshme, por objektivisht, ka avantazhe dhe disavantazhe si në kulturën austriake, ashtu edhe në atë shqiptare. Ky është një bekim dhe një mallkim, sepse kurrë nuk ndiheni sikur i përkisni plotësisht”, shprehet ajo për albinfo.at

Njomza, kampione në Ragbi

Tutje, Njomza shprehet se ka pasur gjithmonë dëshirë, talent dhe interes për sportin në përgjithësi. Ajo fillimisht e nisi karrierën për Ragbi në vitin 2017 dhe për pak kohë u ngrit shpejt si një lojtare e dalluar.

Me kalimin e viteve, ajo u stërvit dhe udhëtoi në shumë shtete, kampionate: si në Itali Gjermani, Francë, Spanjë, Irlandë, Çeki, Hungari, Slloveni, Sllovaki etj.

“Në vitin 2022, për shkak të tendosjes së madhe fizike, përfundova karrierën time si lojtare e Rugbyit, pasi fitova “Kampionatin Evropian në Beograd të Serbisë”, tregon ajo.

Policia, një profesion sa i respektuar, po aq edhe sfidues

Pa dyshim se profesioni si police përveç të mirave, bart në vete edhe sfida, rreziqe që duhet të kalojë çdo polic.

Në Austri, shkolla për polici përbëhet nga teoria dhe praktika. Pranimi në Akademinë e Policisë zgjat rreth tre muaj. Në teori, mësohen kryesisht paragrafë nga libra të ndryshëm juridikë, që memorizohen dhe mësohen se si t’i zbatojnë ato në praktikë. Ndërsa në praktikë mbahen trajnime të ndryshme, udhëtime arsimore, operacionale si dhe një shërbim obligator policor.

“Kam parë dhe përjetuar si gjëra të bukura, ashtu edhe gjëra të këqija, mes këtyre të fundit, edhe një rast vrasje. Shkolla është shumë kërkuese në Austri, ka një disiplinë, si nga ana psikike, ashtu edhe fizike. Për shkak të rrethanave ushtarake, ajo rimodelon plotësisht karakterin tuaj, natyrisht në një mënyrë pozitive”, shprehet ajo.

Lexo edhe:  E rëndë: Burri në Skenderaj i hyn dajak gruas me rrip për shkak të një zënke, 48-vjeçarja dërgohet në spital

Njomza para pak ditësh u diplomua në Akademinë Policore në Vjenë, e veshur me uniformën më të respektuar në vend, duke përjetuar emocione të forta.

“U ndjeva shume krenare, sepse ishte një organizim me përmasa të mëdha, me të pranishëm, figura të larta nga vendi, siç ishte ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner. Këtë ditë e kuptova se çdo përpjekje imja gjatë stërvitjeve, ia vlejti në fund. Megjithatë, gjëja më emocionale e ditës ishte të shihja krenarinë dhe buzëqeshjen e familjes sime”, tregon me emocione ajo.

Njomza tani më po e ushtron detyrën si police dhe është vendosur në stacionin policor në qarkun (Bezirkun) e 20-të të Vjenës.

“Unë zgjodha këtë stacion, sepse këtu ka më shumë operacione policore në të gjithë Austrinë”, përfundon ajo.

Asdreni: Dy të diplomuar në familje, krenari edhe për prindërit tanë

Përveç Njomzës, brenda një jave, në familjen Hysaj, diplomoi për infermieri edhe Asdreni. Ai ka diplomuar në “Fachhochschule Campus Wien” në qarkun (Bezirkun) e 10-të të Vjenës në drejtimin “Bachelor of Science in Health Studies”. Asdreni menjëherë është punësuar në Spitalin e Përgjithshëm të Vjenës”, në stacionin e Infektologjisë dhe Mjekësisë Tropikale (Abteilung für Infektiologie und Tropenmedizin).

“Për momentin, Infermieria është profesioni me mungesa ndër më të mëdhatë në Austri. Gjithmonë kam qenë i interesuar më shumë për shkencat mjekësore dhe të psikologjisë. Inspirimi më i madh për mua ka qenë nëna ime. Më shumë se 15 vjet ka punuar në sektorin e shëndetësisë”.

Asdreni tregon për revistën Albinfo.at se në të ardhmen do të studiojë për Master në drejtimin e “Inxhinierisë ndihmëse shëndetësore”.

I pyetur se çfarë emocioni ishte për të dhe familjen e tij, të diplomonte së bashku me motrën brenda pak ditësh, ai thotë: “Për mua dhe motrën time ka qenë një ndjenjë shumë e mirë. Jam ndier shumë krenar për vetën dhe për Njomzën. Ndihemi shumë krenarë për mbështetjen që prindërit na kanë dhënë dhe besoj që tani edhe ne i kemi bërë krenarë për sukseset tona”, përfundon Asdreni.

Lexo edhe:  Me Luizin apo Kristin, me kë ka inat më shumë? Përgjigjet Maestro

Profesioni i polices, i bukur, por dhe sfidues

Njomza: “Kam parë dhe përjetuar si gjëra të bukura, ashtu edhe gjëra të këqija, mes këtyre të fundit, edhe një rast vrasjeje. Shkolla është shumë kërkuese në Austri, ka një disiplinë, si nga ana psikike, ashtu edhe fizike. Për shkak të rrethanave ushtarake, ajo rimodelon plotësisht karakterin tuaj, natyrisht në një mënyrë pozitive”, shprehet ajo.