Opozitari serb kujton familjen e Jasharëve përmes fotografisë: A ishin terroristë këta shqiptarë?
Politikani opozitar në Serbi, Nikola Sanduloviq ka kujtuar familjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, të cilët u vranë më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Përmes një postimi në Twitter dhe krahas një fotografie të fëmijëve të familjes Jashari, Sanduloviq tha se ata u vranë me urdhër të kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq, duke përmendur emrin e Blerina Jasharit, vajzën shtatëvjeçare e cila ishte në mesin e të vrarëve, raporton Gazeta Sinjali.
“A janë terroristë këta fëmijë shqiptarë? Shikojeni mirë këtë foto, sepse këta janë fëmijët e vrarë të familjes Jashari. Ata u vranë me urdhër të kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq. Në mesin e këtyre fëmijëve ishte edhe vajza shtatëvjeçare Blerina Jashari, e cila u vra nga një plumb në pjesën e pasme të kokës”, ka shkruar ai.