Ishte nisur me fëmijët drejt pikës kufitare, detaje nga momenti kur haset trupi i pajetë i viktimës që dyshohet se ra në lumin Morava

Një person ka vdekur gjatë ditës së djeshme pasi dyshohet se ka rënë në lumin Morava afër pikës kufitare “Dheu i Bardhë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha se bëhet fjalë për një 69-vjeçar nga Ferizaj, përcjell reporteri.

“Sipas informatave të para, i ndjeri së bashku me fëmijët e tij (djalin dhe vajzën) me veturë ishin nisur në drejtim të pikës kufitare ‘Dheu i Bardhë’. Në afërsi të parkingut afër pikës kufitare viktima është afruar afër lumit dhe dyshohet se ai aksidentalisht ka rënë në lumë. Janë njoftuar të gjitha njësitë përkatëse të cilat janë marrë me rastin”, ka thënë Hashani për Reporteri.

Tutje, ai shtoi se për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Rrethanat e rastit po hetohen nga Policia rajonale në Gjilan”, tha Hashani.

Në rrjetet sociale janë publikuar edhe pamje nga momenti kur trupi i pajetë i viktimës është gjetur në lumin Morava.

Aktivistët e peshkimit kanë njoftuar se pasi kanë dëgjuar një zë dhe trupin e të moshuarit në ujë, janë obliguar të futen në territorin e Serbisë që ta nxjerrin nga uji.

Lexo edhe:  Të bllokuar që 10 ditë, Sindikata e shqetësuar për policët në veri: Ju rrezikohet shëndeti dhe jeta