Amerika e ndalon eksportin e dyshekëve “Comodita”, ka dyshime

Departamenti Amerikan i Tregtisë ka nisur procedurë hetimore ndaj kompanisë kosovare “Ventius International L.L.C”, emri zyrtar i fabrikës “Comodita Home”, nën dyshimet për shitje të dyshekëve në tregun amerikan me çmime ‘dumping’, praktikë kjo e ndaluar.
Eksporti i eksportuesit më të madh të dyshekëve të Kosovës drejt tregut amerikan, është pezulluar nga autoritetet amerikane për së paku gjashtë muaj. E gjithë kjo, pasi autoritetet amerikane kanë nisur hetime ndaj  kompanisë kosovare “Ventius International L.L.C”, emri zyrtar i fabrikës “Comodita Home”, nën dyshimet për shitje të dyshekëve në tregun amerikan me çmime ‘dumping’, praktikë kjo e ndaluar dhe anti-konkurrencë.

Vendimi për pezullim të eksporteve nga kjo kompani është marrë më 1 mars 2024 nga Departamenti Amerikan i Tregtisë, pas një periudhe hetimore që ka zgjatur nga data 1 korrik 2022 deri më 30 qershor 2023.

Sipas njoftimit zyrtar të institucioneve amerikane, dyshohet se dyshekët e kompanisë “Comodita” nga Kosova janë shitur me çmime artificiale në tregun amerikan, apo me çmime shumë më të ulëta se çmimi i tregut.

Praktikë ‘dumping’ kemi kur një kompani futet në tregun e një vendi tjetër me çmime artificiale, apo shumë më të lira se sa çmimet reale në një treg përkatës. Kjo zakonisht bëhet për të fituar më shumë treg përmes një konkurrence jo-lojale.

Një praktikë e tillë dyshohet se është zbatuar në tregun amerikan nga kompania kosovare e dyshekëve.

“Dyshekët nga Kosova: Përcaktimi Preliminar Pohues i Shitjeve Më Ulët se Vlera e Drejtë, Shtyrja e Përcaktimit Përfundimtar dhe Zgjerimi i Masave të Përkohshme”, kështu thuhet në titullin e njoftimit zyrtar nga “Federal Register”, një gazetë ditore e qeverisë amerikane.

Në njoftim thuhet se Departamenti Amerikan i Tregtisë “paraprakisht përcakton se dyshekët nga Kosova po shiten, ose ka të ngjarë të shiten në Shtetet e Bashkuara me çmim më të ulët se vlera e tregut”.

Lexo edhe:  Momenti kur forcat speciale turke gjejnë banesën e të dyshuarës dhe e arrestojnë - i gjejnë gjithçka

“Në përputhje me nenin 733(d)(2) të Aktit, Departamenti Amerikan i Tregtisë do të kërkojë nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA që të pezullojë likuidimin e hyrjeve të mallrave për këtë subjekt, siç përshkruhet në Shtojcën I, të futura ose të tërhequra nga magazina, për konsum pas datës së publikimit të këtij njoftimi në Regjistrin Federal”, thuhet në njoftim.

Më 28 janar 2024, kompania kosovare kishte kërkuar nga Departamenti Amerikan i Tregtisë që masat e përkohshme për ndalim të importit të zgjateshin jo më gjatë se gjashtë muaj. Kjo kërkesë është miratuar. Gjatë kësaj periudhe pritet të merret edhe vendimi final mbi dyshimet e ngritura.

Në njoftim ceken po ashtu afatet kur pritet të merret një vendim përfundimtar, siç thuhet aty,  “për të parë nëse importet e dyshekëve të Kosovës dëmtojnë materialisht ose përbëjnë kërcënim për industrinë amerikane”.

Fabrika e dyshekëve “Comodita Home” është prodhuesi më i madh i dyshekëve në Kosovë. Fabrika është nën pronësinë e “Devolli Corporation”.

“Comodita Home” sot nuk i është përgjigjur Buletinit Ekonomik lidhur me këto dyshime nga autoritetet amerikane deri në publikimin e shkrimit. Edhe kontakti me zyrtarët e kësaj fabrike, ka qenë i pamundur gjatë tërë ditës së hënë.

Në anën tjetër, lidhja mes kompanisë “Ventius International L.L.C” dhe fabrikës “Comodita Home”, dëshmohet përmes të dhënave në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës (ARBK). Aksionar në “Ventius International L.L.C” është kompania “Ventius Investment Internation Holding”. Në të dhënat e kësaj të fundit, figurojnë informata zyrtare të fabrikës “Comodita Home”.

Buletini ka kontaktuar në numrin zyrtar të “Ventius International L.L.C” të lënë si në ARBK. Personi që është përgjigjur në këtë thirrje, ka thënë se më herët ka punuar në fabrikën “Comodita Home”, por që aktualisht nuk është më pjesë e kësaj kompanie. Ai e ka konfirmuar lidhjen mes të dyjave, kur është pyetur se a është kompania “Ventius International L.L.C” prapa fabrikës “Comodita Home”.

Lexo edhe:  Rrëfimi rrëqethës i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës: Jeta ime ka përfunduar aty

“Po është e njëjta”, ka thënë shkurt.

Buletini Ekonomik ka provuar të marrë një deklaratë zyrtare edhe nga drejtori ekzekutiv në “Ventius International”, Eroll Shabi, por kontakti me të ka qenë i pamundur. /Buletini Ekonomik/