Hajnat bëjnë kërdi në një banesë në Prishtinë, vjedhin rreth 88 mijë euro para të gatshme
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje, raporton Gazeta Sinjali.
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku persona ende të paidentifikuar kanë thyer një banesë në rrugën ‘Isuf Sokoli’ në lagjen Ulpiana.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit kanë depërtuar me forcë brenda banesës.
Pronari i banesës ka denoncuar rastin në Polici dhe bazuar në dëshminë e tij, hajnat kanë arritur që të vjedhin para të gatshme në vlerë të rreth 88 mijë eurove.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore varësisht nga zhvillimi i hetimeve.