Departamenti amerikan i Mbrojtjes: Mbështesim transformimin e plotë të FSK-së në ushtri

Departamenti i Mbrojtjes, në faqen e tyre zyrtare kanë treguar për takimin e djeshëm të Alton Buland, Drejtor Kryesor për Politikat Evropiane dhe të NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes të ShBA-së, gjeneralmajor Steve Osborn dhe gjeneral i shtabit i Gardës Kombëtare të Iowas, Gjeneral Brigade Chris McKinney në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.

Në shkrimin e departamentit thuhet se ShBA-të do ta përkrahin Kosovën në anëtarësim nëpër organizata ndërkombëtare, por edhe në transformimin e plotë të FSK-së në ushtri me kapacitete të ndërveprueshme me NATO-n.

Pas takimit me zyrtarët e ministrisë, Buland dhe McKinney kanë vizituar edhe Shtabin e Forcave të NATO-s në Kosovë, dhe kontingjentin e saj amerikan.

Siç njofton Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së, qëllimi i këtij takimi ishte të diskutoheshin prioritetet e bashkëpunimit dypalësh të sigurisë dhe për mbështetjen për zbatimin e planit 10-vjeçar të tranzicionit të FSK-së për transformimin e FSK-së në një forcë mbrojtëse territoriale profesionale, multi-etnike, ndërvepruese nga NATO, që i nënshtrohet kontrollit civil për të gjithë popullin e Kosovës.

“Pjesëmarrësit ndanë informacione rreth projekteve që synojnë të ndihmojnë në përmirësimin e aftësive dhe ndërveprimit të FSK-së, angazhimet e ardhshme ushtarake-ushtarake, Programin e Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Iowas dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thotë njoftimi.

Buland përshëndeti Kosovën për arritjet që FSK-ja ka bërë në fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe falënderoi ministrin Maqedonci për kontributin e FSK-së në Ukrainë duke përfshirë ofrimin e trajnimeve dhe ekspertizës në deminim.

“Pjesëmarrësit riafirmuan rëndësinë e respektimit të standardeve më të larta të vlerave demokratike, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në të gjitha aspektet për marrëdhëniet dypalëshe të mbrojtjes”, u tha më tej në njoftim.

Lexo edhe:  FAST Kosova arreston një person të kërkuar me urdhërarrest nderkombëtar

Në përfundim të takimit ShBA-Kosovë, Buland dhe McKinney vizituan Shtabin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe kontingjentin e saj amerikan për t’i falënderuar për rolin që luajnë duke ndihmuar për të kontribuar në stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Kujtojmë se më 22-23 shkurt 2024, në Prishtinë u zhvillua takimi “Konsultimet Dypalëshe të Mbrojtjes SHBA-Kosovë (BDC)”.