Gjakovë: Babai raporton zhdukjen e vajzës 15-vjeçare, thotë se i vendosi GPS në çantë por s’po e gjen

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një burrë nga Gjakova, i cili ka raportuar se vajza e tij 15-vjeçare është zhdukur dhe nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e saj.

Sinjali mëson se i njëjti ka deklaruar para Policisë se vajza nuk është kthyer në shtëpi në orarin e paraparë pasi kishte përfunduar mësimin gjatë ditës së djeshme dhe që nga ajo kohë s’dihet asgjë për fatin e saj.

Ndër të tjera, burimet thotë se prindi i kishte vendosur vajzës një GPS në çantën e saj dhe ka tentuar që ta përcjellë në bazë të lëvizjes, me ç’rast e ka ndjekur një veturë ku dyshonte se ndodhej e bija e tij, por nuk e ka gjetur.

Pasi Policia ka marrë informacionet e para, njësitet policore përkatëse janë aktivizuar, por akoma nuk kanë arritur ta gjejnë të miturën.

Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të nisin hetimet dhe të zbardhen rrethanat e rastit.

Lexo edhe:  “Oh kuku baba bre…”/ Publikohen pamjet nga vendi ku dyshohet se ra aksidentalisht i moshuari që humbi jetën në lumin Morava