“Kam me ta jep një plumb”: I mituri në Podujevë kërcënon një person – Policia i gjen armë zjarri
Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve të ndryshme mes të rinjve në vendin tonë.
Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur të dielën në fshatin Sfeçël në Podujevë, ku është arrestuar një i mitur, i cili po dyshohet se është kapur me dy të rinj, për motive akoma të panjohura.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i dyshuari 17-vjeçar fillimisht e ka kërcënuar me vrasje njërin nga viktimat, e më pas ka shkuar dhe është takuar me ta.
Sipas informacioneve të para, i mituri dyshohet se përveç kanosjes, viktimën tjetër e ka sulmuar fizikisht.
Sinjali mëson se rasti është denoncuar menjëherë në Polici dhe si rezultat, njësitë përkatëse kanë intervenuar, ku kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin.
Pas kontrollit policor, te i mituri është gjetur një armë zjarri me municion, që janë sekuestruar si prova lidhur me rastin.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Kanosje’ dhe ‘Sulm’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’.