Zbulohet kush janë të rinjtë që dyshohet se e rrahën me zinxhirë hekuri 19-vjeçarin në Obiliq

Konfliktet mes të rinjve jo rrallëherë eskalojnë në kanosje e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur dje në Obiliq, raporton Gazeta Sinjali.

Dy persona po dyshohen se kanë sulmuar një tjetër, duke e goditur me zinxhirë hekuri dhe për pasojë i kanë shkaktuar lëndime trupore.

Sinjali ka mësuar se dy të dyshuarit që përfunduan në prangat e Policisë lidhur me këtë rast janë Edon Syla (19-vjeçar) dhe Shpejtim Syla (21-vjeçar), të cilët janë dërguar në mbajtje.

Pasi Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ka arritur t’i kap të dyshuarit, të cilët janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

Hetimet për këtë rast kanë nisur në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, teksa veprimet tjera do të merren brenda afatit ligjor.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit kanë rrahur viktimën mashkull kosovar, me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime trupore . Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje.”

Fotografia e këtij artikulli është ilustruese

Lexo edhe:  Arrestohet personi që sulmoi dy gra në Prishtinë, dyshohet se i shkaktoi edhe dy aksidente me veturë