Gjykata me një njoftim për lirimin e Enver Sekiraqës

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media ka njoftuar se ka ndryshuar masën e sigurisë në çështjen penale kundër të akuzuarit Enver Sekiraqës.

Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se në çështjen penale kundër të akuzuarit E.S, për veprën penale Shtytje në kryerjen e veprës së rëndë, për të cilën vepër çështja është kthyer në rigjykim sipas vendimit të Gjykatës së Apelit – Departamenti Special, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale duke vendosur sipas detyrës zyrtare, me datë 09.02.2024 ka marrë aktvendim dhe të akuzuarit E.S i ndërprehet masa e arrestit shtëpiak me datë 10.02.2024.

Gjykata shton tutje se kundër të njëjtit urdhërohet masa e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj.

Konform nenit 176 paragrafi 4 të KPRK-së, gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit, nëse i akuzuari E.S nuk respekton masën e shqiptuar.

“Gjykata duke vepruar sipas detyrës zyrtare, të akuzuarit E.S i ndërprenë masën e arrestit shtëpiak dhe kundër të njëjtit cakton masën e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj, ngase që nga data e caktimit të masës së arrestit shtëpiak me datë 15.10.2021 e deri me tash, i njëjti asnjëherë nuk e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak”, vijon njoftimi.

Duke pasur parasysh se i akuzuari gjendet nën masën e arresti shtëpiak për më shumë se dy vite dhe se nuk ka pasur asnjë njoftim nga Policia e Kosovës se i njëjti në çfarëdo mënyre nuk e ka respektuar këtë masë, gjykata konsideron se edhe masa e paraqitjes në stacion policor, krijon kushte që procedura penale në këtë çështje të zhvillohet pa vështirësi.

Lexo edhe:  FSK-ja hap konkurs për pranimin e gati 1000 pjesëtarëve, këto janë kushtet për t'u bërë ushtar

Andaj gjykata vlerëson se është përmbushur kushti nga neni 176 paragrafi 1, pika 1.2 të KPRK-së, ngase ka arsye për të besuar, se po të gjendet i akuzuari në liri të plotë, do të mund të fshihet ose do të largohet nga Kosova.

Kundër këtij vendimi, palët mund të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.