Dhunë në një familje në Mitrovicë: Burri rrah gruan dhe fëmijët

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.

Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Mitrovicë, ku kryefamiljari dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tyre.

Sinjali mëson se pas një debati verbal, i dyshuari i ka rrahur gruan e fëmijët, e madje ka eskaluar edhe në kërcënime me vrasje.

Përballë kësaj situate, rasti është denoncuar në Polici, ku gruaja ka rrëfyer se raste të tilla kanë ndodhur në vazhdimësi, duke iu shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.

Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit dhe inicimi i rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  E tmerrshme: 13-vjeçarja nga Malisheva e raportuar e zhdukur dyshohet se është dhunuar nga dy persona