Dyshohet se pagoi naftë me 50 euro false, arrestohet i riu kosovar

Rastet kur qytetarët kanë tendenca për të paguar shërbime të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra euro dyshohet që çdo ditë po vihen në qarkullim, në tregun e Kosovës. Sinjali ka raportuar në vazhdimësi për raste të tilla, kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i kapur të dyshuarit.

Kështu kishte ndodhur muaj më parë në një pompë derivatesh në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, ku një person dyshohet se kishte paguar naftën me një kartëmonedhë të falsifikuar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se kartëmonedha e cila ishte sekuestruar për ekzaminim të mëtejshëm ka rezultuar e falsifikuar dhe më pas janë marrë veprimet hetimore që të identifikojnë personin e dyshuar.

Me këtë rast është arrestuar gjatë ditës së djeshme një 25-vjeçar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurës policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i riu të ndalohet për 48 orë nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikim i parasë’.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit nga sot deri me datën 1 Maj