Ky është 48-vjeçari që u kap me armë ilegale e drogë në shtëpinë e tij në Prishtinë, kërcënoi policët
Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Dukuri tjetër negative është posedimi armëve ilegale nga qytetarët. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Një rast i tillë është zbuluar dje në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku është arrestuar një person.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Sevdaim Canolli, 48-vjeçar.
Canolli ra në prangat e Policisë, pasi njësitë policore në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës kanë kryer bastisje në shtëpinë e tij në rrugën ‘Ramë Govori’, pasi i njëjti kishte publikuar pamje ku shihej me armë.
I dyshuari ka pranuar që të dorëzojë armën e gjatë AK-47 dhe më pas gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe armë tjera e substancë e dyshuar narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë, në shtëpinë e 48-vjeçarit janë gjetur dhe sekuestruar
- një armë e gjatë AK -47
- një armë e tipit Zoraki
- një thikë
- dy karikatorë
- 9 fishekë si dhe
- një sasi e konsiderueshme e substancës narkotike, dyshohet të llojit marihuana.
- Sinjali mëson se Canolli ka tentuar t’i pengojë zyrtarët policorë gjatë bastisjes dhe dyshohet se i ka kanosur ata.
48-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, ‘Posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge’ dhe ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.