Qindra ankesa për “Artmotion”, reagon Qeveria
Operatori kabllor “Artmotion” sot ka njoftuar se ka ndërprerë ritransmetimin e kanaleve që janë pjesë e platformës së Digitalb, ndërpreje kjo e cila ka irrituar e dëshpëruar një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës. Për këto zhvillime Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka dalë me reagim, raporton Gazeta Sinjali.
MINT thotë se po përcjell me shqetësim ankesat e qytetarëve, teksa paralajmëron se brenda afateve ligjore do të ndërmerren veprime sipas ligjeve në fuqi.
Po ashtu, kjo Ministri ka bërë të ditur se vetëm ditëve të fundit kanë pranuar mbi 100 ankesa.
“MINT po përcjell me shqetësim ankesat e qytetarëve ndaj disa operatorëve ekonomik, siguron se brenda afateve ligjore do të ndërmerren veprime sipas ligjeve në fuqi.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njofton opinionin publik se është duke përcjellë me shqetësim ankesat e shumta të qytetarëve ndaj disa operatorëve kabllorë në Republikën e Kosovës, shërbimet e të cilave janë të rregulluara me kontratë mes palëve”, thuhet ndër tjera në njoftim.
Postimi i plotë:
MINT po përcjell me shqetësim ankesat e qytetarëve ndaj disa operatorëve ekonomik, siguron se brenda afateve ligjore do të ndërmerren veprime sipas ligjeve në fuqi.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njofton opinionin publik se është duke përcjellë me shqetësim ankesat e shumta të qytetarëve ndaj disa operatorëve kabllorë në Republikën e Kosovës, shërbimet e të cilave janë të rregulluara me kontratë mes palëve.
MINT/Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit vetëm gjatë ditëve të fundit ka pranuar mbi 100 ankesa të natyrës së njëjtë, të cilat i ka proceduar me prioritet për trajtim të mëtejmë nga institucionet gjegjëse.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, siguron qytetarët se brenda afateve ligjore, përmes institucioneve përgjegjëse, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjeve përkatëse në fuqi.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, gjegjësisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, mbeten maksimalisht të përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e konsumatorit, për çka ftojnë qytetarët që ankesat t’i paraqesin duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 11000 apo përmes email adresës: [email protected]