Një ulëse në oborrin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike nga sot do ta mbaj emrin e heroit të Kosovës rreshterit Afrim Bunjaku
Zbulimi i kësaj ulëseje u bë sot në prani të familjarëve të heroit Bunjaku, ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, zëvendësuesit të Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë Kastriot Jashari, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha dhe përfaqësuesve të OSBE-së e cila është mbështetëse e Akademisë që nga themelimi.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se është nder i madh të jetë prezent në zbulimin e kësaj ulëseje, në vendin ku heroi Bunjaku filloi karrierën dhe dha betimin për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të territorit të Kosovës.
Ministri Sveçla tha se emri i tij në këtë ulëse është motiv për kadetët e gjeneratave të reja që vijnë të shkollohen në këtë Akademi.
“Viti që po lëmë pas ishte vit sfidues për vendin tonë teksa u bë edhe më i vështirë me 24 shtator kur vendi ynë u ballafaqua me sulm terrorist dhe banda të organizuara paramilitare e terroriste të Serbisë që vranë rreshter Afrim Bunjaku”, tha Sveçla.
Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari tha se misioni i heroit Bunjaku ishte vazhdimësi e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ka rënë në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Vendosja e këtij simboli për Afrimin këtu në Akademi, është motiv shtesë për kadetët dhe çdo zyrtar policor, të cilët arsimohen dhe shkollohen këtu. Jam krenar që Akademia dhe policia kanë nxjerr njerëz të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën për vendin”, tha Jashari.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha tha se Afrimi, fatmirësisht nuk po përkujtohet vetëm nga shteti i Kosovës, por edhe nga gjithë miqtë tanë.
“Ai e dha jetën për këtë vend, për sigurinë e qytetarëve tanë. Emri dhe vepra e tij do të jetë një udhërrëfyes për gjitha gjeneratat e reja”, tha Hoxha.
Ndërsa familjarët e heroit Afrim Bunjaku falënderuan për nderimin që po i bëhet jetës dhe veprës së tij.