Policia e konfirmon sekuestrimin e sirenës me gjashtë zmadhues zëri në Veri: Shërbenin për prishje të rendit publik

Gjatë ditës së sotme u raportua se Policia e Kosovës ka sekuestruar sirenat e alarmit në komunën e Mitrovicës së Veriut, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë tashmë e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale në Veri, Veton Elshani, i cili tha se janë sekuestruar një sirenë e alarmit dhe gjashtë zmadhues të zërit.

Sipas tij, kjo sirenë dhe zmadhuesit kanë shërbyer për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Konfirmojmë konfiskimin e një sirene të alarmit dhe 6 zmadhues të zërit në Mitrovicë të Veriut. Kjo sirenë dhe këta zmadhues zëri kanë shërbyer në periudha të ndryshme kohore për të prishje të rendit dhe qetësisë publike”, ka thënë Elshani.

Sirenat në veri të Kosovës zakonisht lëshoheshin nga strukturat paralele serbe, të cilët u kërkonin serbëve lokalë që të organizohen për ndonjë ngjarje.

Sa herë që bien sirenat në veri të Kosovës, e që ka ndodhur në disa raste vitet e kaluara, grupe njerëzish të organizuar dalin në rrugë, mbyllin dyqanet, barnatoret, lokalet afariste e të tjera dhe organizojnë barrikada.

Lexo edhe:  28 shkelje të vendimit të MSh-së për kufizimin e orarit të punës