Detaje nga vrasja në tentativë në Vitomericë të Pejës: Armët që u përdorën ishin të vjedhura

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e pasmesnatës së 10 dhjetorit në rrugën Pejë – Rozhajë, saktësisht në fshatin Vitomericë, ku dy persona, njëri nga ta i mitur, dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture ku ndodheshin tre persona.

Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe të njëjtit më pas janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Sinjali mëson se në vazhdën e zhvillimit të hetimeve, është zbuluar se armët në fjalë kanë rezultuar të vjedhura nga një 32-vjeçar, i cili e kishte denoncuar rastin e vjedhjes në Polici, pasi ishte i pajisur me leje nga organet kompetente për posedim të armëve.

I mituri, Gj.K., dyshohet se ka vjedhur dy armë nga shtëpia e viktimës dhe të njëjtat më pas dyshohet se janë përdorur në ngjarjen e rëndë në të cilën është përfshirë.

Ndaj tyre Prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa i mituri do të hetohet edhe për veprën penale ‘Vjedhje’.

Si ndodhi ngjarja e 10 dhjetorit?

Rreth orës 01:25 pas mesnatës, dy të dyshuarit ndodheshin me veturën e tyre në fshatin Vitomericë, teksa viktimat po lëviznin nga Peja për në Rozhajë.

Dy të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës e cila ishte në lëvizje, mirëpo fatmirësisht nuk ka pasur pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale në veturë.

Me të marrë informatën, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar dëshmi që lidhen me rastin, në mesin e tyre edhe disa gëzhoja që dyshohet se janë të armëve që u përdorën në rast.

Po ashtu, Sinjali mëson se Policia në koordinim me Prokurorinë pati kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarve, mirëpo s’kishin arritur t’i gjejnë armët që u përdorën në rast.

Lexo edhe:  Blerim Gashi kërcënon ish-gruan se nuk do t’ia lë t’i shohë fëmijët: E sheh ti qysh ka me të ardhë puna kur t’hijsh në Kosovë