E konfirmuar: INTERPOL-i lëshon urdhërarrest për Millan Radoiçiqin

 

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka konfirmuar për Radio Evropa e Lirë se organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar urdhër-arrest për kriminelin Millan Radoiçiq në lidhje me sulmin terrorist më 24 shtator në Banjskë.

Rashiq ka thënë se urdhëri është lëshuar pas ndërmjetësimit të UNMIK-ut pas kërkesës nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Millan Radojiçiq kishte pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Në këtë sulm terrorist, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Po i njoftoj të gjithë të përndjekësit e popullit serb, që nga Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike.” – kishte thënë Radojiçiq

Pas kësaj, Radojiçiq në Serbi ishte intervistuar për vepra që kanë të bëjnë me krime si “shoqatë me qëllimin për të kryer akte kriminale”, “prodhimi, mbajtja dhe trafikimi ilegal i armëve dhe substancave eksplozive” dhe “krime serioze kundër sigurisë së përgjithshme”.

Ai ishte liruar me disa dhe nuk i ishte caktuar masa e paraburgimit.

Ndërsa javë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se grupi i tij po riorganizohet në Rashkë të Serbisë.

“Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.” – theksoi Kurti, duke shtuar se në këtë takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, dhe nënkryetarët e saj, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq.

Lexo edhe:  Guvernatori i Stambollit thotë se ka të vdekur nga shpërthimi me bombë