Grabitje e armatosur në marketin ‘Olti’ në Ferizaj: Tmerrohet punëtori, hajnat marrin pazarin ditor

Marketet në vendin tonë jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët, ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Vjedhjet e grabitjet shpesh kryhen edhe nën kërcënimin e armës, duke ua rrezikuar jetën punëtorëve. Kështu ka ndodhur edhe dje në marketin “Olti” në rrugën “Naim Beka” në Ferizaj.

Sinjali mëson se rasti është denoncuar nga punëtori i marketit, i cili njoftoi Policinë se dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda lokalit dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur që t’ua marrin të gjitha paratë e pazarit ditor.

Me t’u raportuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.

Burimet thonë se punëtori që u përballë me hajnat, ka rrëfyer para zyrtarëve policorë në detaje se si ndodhi grabitja për pak minuta dhe të dyshuarit u zhdukën shumë shpejtë.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  E tmerrshme: Dy persona dyshohet se e dhunuan një 11-vjeçare në Ferizaj, rasti denoncohet në Prokurori