“Mos u en shlirë, kom me ta marrë jetën”: Gjakovari rrah bashkëshorten dhe kërcënon vjehrrin
Zënkat e familjes së gruas me dhëndrin dhe anasjelltas janë mjaft të shpeshta në familjet kosovare. Konfliktet verbale mes tyre eskalojnë edhe në përleshje e kërcënime, për çka duhet intervenimi i Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e më pas ka kërcënuar edhe babanë e saj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 35-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, pas dhunës psikike dhe fizike që përjetoi nga bashkëshorti i saj. Sipas viktimës, ajo vazhdimisht ka përjetuar dhunë shkaku i xhelozisë së bashkëshortit të saj, por ka hezituar ta raportojë rastin në Polici.
Po ashtu edhe babai i saj ka deklaruar se dhëndri e ka kërcënuar përmes telefonit, duke i thënë se do ta vrasë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.