Incident në Veri: Dy të rinj serbë dyshohet se sulmuan fizikisht dy qytetarë shqiptarë

Dy qytetarë të nacionalitetit serb janë arrestuar mbrëmë pas mesnate, pasi të njëjtit dyshohet se kanë sulmuar fizikisht dy qytetarë shqiptarë në rrugën ‘Princi Millosh’ në Mitrovicën e Veriut.

Burimet e Gazetës Sinjali Brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në një kafene ku po qëndronin palët e përfshira, e ku dy të dyshuarit fillimisht kanë fyer viktimat e më pas të njëjtit i kanë sulmuar fizikisht.

Viktimat janë dërguar në spital për tretman mjekësor, ndërkohë që kanë dhënë edhe dëshmitë e tyre lidhur me rastin.

Po ashtu, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të hetohen në liri për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lexo edhe:  Babai i Naim Murselit: Djalit tim ia kthyen shpinën të gjithë pas tragjedisë