Ky është i arrestuari që e shantazhoi dhe e detyroi të dashurën, e kërcënoi me publikimin e fotove intime
Vajzat dhe gratë përveç që janë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, shumë herë edhe kërcënohen, shantazhohen e detyrohen të veprojnë kundër vullnetit të tyre. Për një rast të tillë, që është denoncuar muajin e kaluar në Obiliq, Policia sot ka arrestuar një person.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 28-vjeçar, i cili dyshohet se e ka shantazhuar të dashurën e tij gjatë kohës sa kanë qenë në lidhje.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Zef Martinajn, i cili dyshohet se e ka kanosur dhe e ka detyruar viktimën që ta vazhdojnë lidhjen, në këmbim të mospublikimit të disa fotove intime.
Për pasojë, viktima për gati 2 vjet e ka vazhduar lidhjen me zor, duke u kërcënuar seriozisht edhe me vrasje nga i dashuri i saj.
Si rezultat i nisjes së hetimeve, Policia ka grumbulluar informacionet e nevojshme dhe ka arritur që ta arresojë të dyshuarin.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprat për të cilat dyshohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 ore dhe ndaj tij të ndërmerren veprimet e nevojshme brenda afatit ligjor.